Bruno Fernandes e mbajti shiritin e kapitenit për Portugalinë ndaj Danimarkës dhe e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe nesër në stadiumin “Dragão” ndaj Norvegjisë në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Cristiano Ronaldo nuk do të jetë aty, pasi u largua nga grumbullimi i zemëruar pasi mbeti jashtë.
Mesfushori i Manchester Unitedit iu përgjigj drejtpërdrejt kësaj teme në konferencën për shtyp para ndeshjes, duke zbuluar se kishte folur me bashkëkombësin e tij.
Fernandes këmbënguli se nuk ka përçarje brenda skuadrës: “Nuk kam nevojë të flas me shokët e skuadrës, të gjithë dimë t’i zgjidhim çështjet tona. Ekziston një situatë në kombëtare që nuk ka të bëjë me lojtarët dhe besoj se roli më i rëndësishëm që mund të luajmë është të japim rezultate në fushë”.
“Sa i përket Cristianos, kam folur me të dhe atë që i thashë po e përsëris edhe këtu”, vazhdoi ai.
“Gjëja më e rëndësishme është që, çfarëdo që të ndodhë, Cristiano Ronaldo nuk do të ndalojë kurrë së qeni simboli më i madh i kombëtares sonë, i futbollit në vendin tonë dhe i Portugalisë, për shkak të asaj që ka dhënë jo vetëm në Portugali, por në të gjithë botën”, shtoi ai.
Ai shtoi: “Ai e ka një vend të rezervuar, jo vetëm mes lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, por edhe në zemrat e të gjithë portugezëve. Gjëja më e rëndësishme është të ndalojmë së nxitur përçarjen. Nuk ka përçarje brenda kombëtares, ajo është një dhe do të mbetet e tillë, pavarësisht zhurmës që mund të vijë nga jashtë. Çdo familje duhet t’i zgjidhë problemet e saj me dyer të mbyllura dhe besoj se edhe kombëtarja duhet të funksionojë në këtë mënyrë”.
Duke shpresuar që kriza të kalojë, Fernandes tha: “Gjëja më e rëndësishme është që gjithçka të përfundojë mirë për të gjitha palët. Ne jemi krejtësisht jashtë kësaj çështjeje dhe dimë vetëm atë që na tregoni ju dhe atë që shohim. Kaluam shumë kohë në dhomën e lojtarëve duke luajtur letra dhe jemi jashtë kësaj polemike”.
“Por ajo që kërkoj është që vendi të mos përçahet, të mos mbajë anë dhe t’i respektojë të gjitha palët”, vazhdoi ai.
“Në të njëjtën kohë, Cris është dhe do të mbetet ikona më e madhe e kombëtares sonë dhe ai e meriton respektin e të gjithëve, pavarësisht se kush e do më shumë apo më pak”, tha ai tutje.
Duke folur për alternativat që ka Portugalia në skuadër, ai tha: “Kush do të luajë dhe kush jo, është vendim i trajnerit (Jorge Jesusit) dhe fatmirësisht nuk është vendimi im. Kjo është dëshmi se kemi shumë cilësi në grupin tonë dhe lojtarë që mund të luajnë në pozicione të ndryshme dhe të jenë në fushë në të njëjtën kohë, dhe kjo është një pikë pozitive”>
Futbollisti i “Djajve të Kuq” shtoi: “Të jesh pjesë e kombëtares është diçka e jashtëzakonshme dhe nuk duhet parë në mënyrë negative, pavarësisht nëse luan më shumë apo më pak. Të gjithë duam të luajmë, ta përfaqësojmë vendin tonë dhe t’ia vështirësojmë zgjedhjet trajnerit”.