Shënimi i 5 Tetorit – Ditës Botërore të Mësimdhënësve, u ndahen mirënjohje për 13 mësimdhënësit më të mirë për vitin shkollor 2025/2026.
Me ndarjen e mirënjohjeve për trembëdhjetë mësimdhënësit më të mirë nga arsimi parashkollor, fillor dhe i mesëm për vitin shkollor 2025/2026, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Lidhja e Punonjësve Arsimorë shënuan 5 Tetorin – Ditën Botërore të Mësuesve.
Mirënjohjet i ndanë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe kryetarja e Lidhjes, Zhaklina Ristovska. Në fjalimin e saj, Janevska ua uroi festën të gjithë mësimdhënësve, duke shprehur mirënjohje për ndarjen e dijes, punën, durimin dhe përkushtimin e tyre në procesin e formimit të të rinjve.
“Ka shumë mësimdhënës cilësorë. Megjithatë, nga radhët e tyre, Lidhja i zgjodhi ata mësimdhënës të cilët me rezultatet, mirënjohjet, shpërblimet dhe punën e përkushtuar gjatë vitit të kaluar shkollor 2025–2026 janë veçuar si shembull i profesionalizmit dhe përkushtimit. Ky vlerësim le të jetë arsye që të jeni krenarë për atë që keni arritur, por edhe motivim për të vazhduar të punoni me të njëjtin entuziazëm. Ndani njohuritë dhe përvojat tuaja me kolegët dhe tregoni se si krijohen nxënës të mirë dhe gjenerata të mira, sepse përmes tyre krijojmë një të ardhme të qëndrueshme për shtetin tonë”, –, u tha Janevska mësimdhënësve të shpërblyer.
Ajo theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qeveria kujdesen që të gjithë mësimdhënësit të jenë sa më të kënaqur me punën që kryejnë çdo ditë dhe në këtë drejtim, gjatë dy viteve pagat në shkolla janë rritur për më shumë se 20%, ndërsa në arsimin e lartë për 14% .Masat për avancimin në karrierë i kanë shfrytëzuar mbi 300 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionalë, të cilët janë avancuar në titullin mentor ose këshilltar,ndërsa përmes trajnimeve të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit dhe institucioneve e organizatave të tjera partnere, mundësohet zhvillimi i tyre i vazhdueshëm profesional.Për përmirësimin e kushteve për mësim dhe punë janë investuar mbi 70 milionë euro, është siguruar ditari i ri elektronik, mjete dhe pajisje të reja digjitale, si dhe është përmirësuar infrastruktura digjitale.
“Pavarësisht infrastrukturës, teknologjisë apo investimeve, pjesa më e rëndësishme e çdo shkolle mbetet – mësimdhënësi. Nga ju pres të mbeteni energjikë, të përkushtuar dhe të jeni forca shtytëse e arsimit. Të jeni partnerë të Ministrisë, por edhe partnerë të prindërve dhe nxënësve. Por, mbi të gjitha, ta ruani dhe ta mbroni autoritetin e mësimdhënësit.Kërkoni angazhim, përpjekje dhe përgjegjësi nga fëmijët dhe vlerësojini në mënyrë reale, sepse vlerësimi real nuk është ndëshkim, por është drejtim për përparim.
Mirënjohjen për punonjësin më të mirë arsimor në arsimin parashkollor e mori Klementina Petrushevska, edukatore në kopshtin e fëmijëve “Veseli Cvetovi” në Kisella Vodë.Në mësimin klasor në arsimin fillor, mësimdhënësit më të mirë u shpallën Sonja Trifunovska nga SHF “Goce Dellçev” – Tetovë, Violeta Popovska nga SHF “Vera Jociq” – Gazi Babë, Gabriela Merdxhanoska nga SHF “Goce Dellçev” – Gostivar, Ksenija Nikollova nga SHF “Goce Dellçev” – Bosillovë dhe Vesna Todorovska-Unkovska nga SHF “Partenija Zografski” – Kisella Vodë.Në mësimin lëndor, mirënjohje morën Tome Kitanovski nga SHF “Goce Dellçev” – Vasilevë, Bojanka Xhipunova-Tashova nga SHF “Vasil Gllavinov” – Veles, Vera Zoroska nga SHF “Hristo Uzunov” – Ohër, Olivera Shikleska-Grozdanova nga SHF “Gjorgji Sugarev” – Manastir dhe Bllagica Çatlleska nga SHF “Goce Dellçev” – Prilep.Në arsimin e mesëm, mësimdhënësi më i mirë u zgjodh Nikolla Delevski nga Qendra Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional “Nikolla Karev” – Strumicë, ndërsa mirënjohje pas vdekjes iu dha Sllagjan Stankoviq-Bitrak, i cili ishte pjesë e stafit mësimor në SHMK “Nace Bugjoni” – Kumanovë dhe në “Gjimnazin Matematikor-Informatik” në Shkup.