Kryeministri Albin Kurti ka thënë se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do t’i japë 62 vota bashkë me komunitetet nëse PDK-ja zotohet se do t’i sigurojë gjysmën e votave të saj për emrin e Bekim Sejdiut për president.

“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër.

“Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.

“Nëse PDK-ja është kundër Sejdiut atëherë unë u them shpreheni me votë. Mos votoni për, veç votoni. Ndoshta është momenti i tillë që ndoshta 6 nga deputetët e LDK-së mund të na bashkëngjitet. Unë besoj që nëse do ta kishim një votë të tillë të përbashkët vështirë që edhe Sejdiu do të thoshte ‘jo nuk do ta shpëtojë Kosovën’”, ka thënë Kurti.

Sejdiu pati dalë si emër i përbashkët i marrëveshjes së Kurtit me Lumir Abdixhikun e LDK-së. Por marrëveshja u rrezikua pasi 6 deputetë të LDK-së dolën kundër.

Pas kësaj, Sejdiu u tërhoq nga kandidatura.

Në Kuvend, VV-ja me partitë pakicë ka 62 vota. LDK-ja ka 18, ndërsa PDK-ja 22.

Për presidentin duhen 80 deputetë të jenë në sallë në dy rundet e para të votimit.

Kurti ka deklaruar se do të mbajnë mbledhje në subjektin e VV-së e të diskutojnë për gjendjen aktuale.
Ka shtuar se presin përgjigje nga PDK-ja.

Për protestën ka thënë se nuk i di hollësitë e protestave dhe se gjatë kohës së mbajtjes së tyre ka qenë në Kuvend.

“Në xhirime e shihni që sot policia është shumë më tolerante se në kohën kur unë i udhëhiqja protestat”, ka deklaruar ai.

Kurti është pyetur edhe për komunikimet me kryetarin e LDK-së.

“Nuk kemi komunikuar me kryetarin e LDK-së. Është e vërtetë që ai e ka kryer punën por kur ai ka negociuar me mua e ka bërë në emër të 18 deputetëve. Ai u mor vesh me mu në emër të 18-ve jo të 12-ve. Ai ka ardhë me folë në emër të 18-ve dhe 6 po mungojnë. Unë do të komunikoj prapë me të. Me të s’kam nevojë për ndërmjetësues”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se nuk kanë pasur garanci nga Hamza nëse do t’i marrin votat e PDK-së nëse votohet Ligji për Specialen.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume