Mickoski në ngjarjen e Bankës Botërore: Maqedonia ka një rritje mesatare trefish më të lartë se ajo e BE-së, me ndërtimin e qendrave të të dhënave, eksporti do të matet me qindra milionë euro
Në 27 muajt e fundit, përkatësisht 8-9 tremujorë nga zgjedhja e Qeverisë, rritja mesatare është mbi 3,5 për qind në baza reale në kushte kur tek partneri ynë më i madh tregtar, Bashkimi Evropian apo eurozona, ajo lëvizë mes 1 dhe 1,2 për qind. Kjo është tre herë më shumë në krahasim me ritjen mesatare tek partneri ynë më i madh tregtar – potencoi sot kryeminsitri Hristian Mickoski në fjalimin e tij gjatë prezantimit të raportit të ri të Bankës botërore – “Maqedonia: Dalja nga kurthi i të ardhurave të mesme”.
Duke u kthyer te vitet 2006 dhe 2008, kur vendi kishte pesë, pesë e gjysmë, madje edhe gjashtë për qind rritje, por atëherë, siç tha ai, rritja kudo ishte e tillë.
Nëse e analizojmë tremujorin e tretë të këtij viti, dje Enti Shtetëror i Statistikave i publikoi të dhënat për eksport-import, ne tashmë në muajin e dytë të tremujorit të tretë, përveç korrikut dhe gushtit, kemi 11.5 për qind rritje të eksportit, 8.5 për qind rritje të importit.
Pra, eksporti po rritet më shpejt se importi, jo në mjete nominale, pasi jemi vend i varur nga importi. Por dua të them se në kushte kur i kemi sfidat më të mëdha në botë, në kushte kur kemi dy luftëra në fqinjësi, kur e kemi krizën më të madhe energjetike, jo sipas Qeverisë maqedonase, por sipas Fatih Birol, drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në kushte kur pati një takim urgjent të vendeve të G7-ës, sepse një nga anëtaret në 15 për qind të pompave nuk kishte naftë, në kushte kur ekzistonte mundësia të kishim ndalim nga njëra prej anëtareve të G7-ës për eksportin e naftës, ne megjithatë arrijmë të sigurojmë një çmim të qëndrueshëm, më të ulëtin në Evropë, dhe kjo na mundësoi të konsolidojmë inflacionin.
Në korrik 2.3%, në gusht 2.6%, në kushte kur mesatarja evropiane në korrik është 2.9%, kurse në gusht është 3.3%. Tani paralajmëruan, Eurostati publikoi vlerësime preliminare për shtatorin – 3.8%. Na bindnin se inflacioni ishte i importuar, epo paska mundësi edhe të mos importohet inflacioni – deklaroi Mickoski.
Sipas analizave të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Kryeministri pret që te ushqimi dhe pijet joalkoolike, inflacioni në shtator të lëvizë midis 1.5 dhe 2 për qind në nivel vjetor.
Një mundësi për vende pune me paga të larta dhe cilësore, të cilat do të kontribuojnë pozitivisht në ekonominë maqedonase, Kryeministri pret që vendi t’i fitojë përmes ndërtimit të qendrave të të dhënave, për të cilat tashmë ka pasur pesë deri në gjashtë investitorë të interesuar.
Sipas kryeministrit Mickoski, inteligjenca artificiale dhe qendrat e të dhënave janë një proces i pashmangshëm dhe ai konsideron se shteti do të mund t’u ofrojë një shërbim investitorëve potencialë.
Pa marrë parasysh se sa forca retrograde mund të kemi, të cilat do të na tërheqin mbrapa, ne si Qeveri jemi të vendosur ta shtyjmë këtë proces përpara dhe do të shkojmë deri në fund në realizimin e tij, sepse ai është i pakthyeshëm.
Shpeshherë unë në fjalimet e mia e them se kjo nuk është më shkencë e së ardhmes, nuk është industri e së ardhmes, por kjo është industri e së tashmes. Në vitin 2040 apo 2050 do të flasim për disa teknologji të tjera edhe më të avancuara se kjo super inteligjencë apo inteligjencë artificiale, theksoi Mickoski.
Qeveria, theksoi ai, është e fokusuar dhe po punon në përshtatjen e ligjeve të caktuara, dhe nga pesë-gjashtë investitorët më seriozë të interesuar, nëse realizohet qoftë edhe gjysma e tyre, tashmë mund të flasim për një eksport shërbimesh që do të matet me qindra milionë dollarë ose qindra milionë euro.
Kështu që, ky proces është i pakthyeshëm dhe nuk ka kthim prapa, pavarësisht se çfarë do të jetë dhe sa i fortë do të jetë debati publik, sepse nëse ne nuk e shfrytëzojmë, atëherë do ta shfrytëzojë dikush tjetër, nëse ne nuk e njohim, këtë tashmë po e njohin shumë vende në botë, thotë ai.
Paralelisht me këto procese, ai informoi se Qeveria po punon edhe në reforma të brendshme, mes të cilave veçoi analizën në fushën e politikës sociale.
Arritëm në një zbulim interesant gjatë analizës së NMG-së – përfituesve të ndihmës minimale të garantuar, këtë muaj fatura, pas një analize të detajuar, por edhe kontrollit në terren, në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, është më e ulët për 200 milionë denarë. Tani me siguri po e bëni pyetjen: “Si është e mundur kjo?” Është e mundur sepse përdoruesit kanë qenë, për fat të keq, të vdekur, të shpërngulur, njerëz të rremë e kështu me radhë. Pra, ne nga buxheti kemi shpenzuar më shumë se një miliard deri në një miliard e gjysmë në mënyrë fiktive për përdorues të ndihmës minimale të garantuar dhe sigurisë sociale. Akoma nuk kemi ardhur te përdoruesit e tjerë, theksoi Mickoski, duke shtuar se deri më tani janë zbuluar 4.5 mijë përdorues të rremë të NMG-së.
Kjo reformë, theksoi ai, është 25 milionë euro.
Dikush do të thotë: „Mirë, pra kjo është një kontroll i zakonshëm, për çfarë reforme po flisni ju?“ Reformë që është 25 milionë euro. Ne sot bëjmë spektakle për investime shumë më të vogla se 25 milionë euro në vit. E ne kur ta analizojmë këtë dhe kur ta vendosim në këtë proces, do të arrijmë në një situatë në të cilën nëse këtu kursejmë 25 milionë, nëse atje kursejmë 25 milionë ose në vendin e tretë 25 milionë, ja ku janë reformat, ja ku janë paratë se si ne mund të investojmë në investime kapitale, të cilat pastaj neve do të na sjellin mundësi për të tërhequr investime që do të gjenerojnë fitim më të madh”, tha Mickoski.
Kryeministri, në fjalimin e tij lidhur me raportin për rritje dhe vende pune të Bankës Botërore, për të cilin tha se është një bazë e mirë për reforma të mëtejshme që Qeveria duhet t’i përfundojë, iu referua projekteve infrastrukturore që po realizohen, siç janë rrugët eksprese, akset e autostradave, lidhja hekurudhore, si dhe objektivat e vendosura në sektorin energjetik dhe gazifikimi dhe se me përfundimin e tyre do të forcohet ndjeshëm pozita gjeostrategjike e vendit.




