Kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Pavle Arsoski, realizoi takim me Nona De Jang, koordinatore rajonale për siguri në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, Jurgen Fllajshman, atashe e mbrojtjes e Mbretërisë së Holandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe Zoran Drangovski, nëpunës politik për siguri dhe stabilitet në Ambasadën Holandeze në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim u shkëmbyen mendimet mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe situatat në rajon, me theks të veçantë në rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si faktor i rëndësishëm për stabilitetin rajonal.
Kryetari Arsoski i njoftoi bashkëbiseduesit me punën e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, duke theksuar bashkëpunimin e mirë me anëtarët dhe zëvendësanëtarët e Komisionit, Qeverinë dhe ministritë kompetente, si dhe me institucionet dhe palët e tjera të interesuara në sektorin e sigurisë. Ai theksoi rëndësinë e konsensusit politik të arritur midis partive parlamentare për çështjet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në bisedë u theksua rëndësia e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO, duke përfshirë rritjen e vazhdueshme të buxhetit të mbrojtjes, arritjen e standardeve të NATO-s dhe modernizimin dhe pajisjen e Armatës. Kryetari Arsoski theksoi se Maqedonia e Veriut po i përmbush detyrimet e ndërmarra dhe se deri në vitin 2030 buxheti i mbrojtjes i vendit pritet të arrijë 5% të BPV-së.
Në këtë kontekst, ai e përshëndeti procesin “ReArm Europe”, duke vlerësuar se rritja e investimeve në mbrojtje hap mundësi për zhvillim shtesë të industrisë evropiane, por edhe të industrisë së brendshme të mbrojtjes. Arsoski theksoi se Maqedonia e Veriut ka vendosur bashkëpunim me partnerë strategjikë, përfshirë SHBA-në, Holandën dhe Turqinë, në procesin e modernizimit të Armatës, ndërsa paralelisht po ndërmerren aktivitete për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e kapaciteteve në industrinë ushtarake.
U theksua gjithashtu rëndësia e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si kontribut në forcimin e besimit dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, u shkëmbyen mendime mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajon dhe nevojën për kontribut të përbashkët në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Bashkëbiseduesit e përshëndetën pjesëmarrjen aktive të Maqedonisë së Veriut në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe ato ndërkombëtare, si dhe angazhimin e saj për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Aleancë. U vlerësua se vazhdimi i bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët, si dhe ruajtja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, janë me rëndësi të veçantë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.



