Lionel Messi i ka dhënë fund karrierës me kombëtaren e Argjentinës pas 208 ndeshjesh, duke e mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm me fanellën e “Albicelestes”.
Pas lamtumirës së tij, mesazhet nga ish-bashkëlojtarët dhe figurat e futbollit kanë qenë të shumta.
Njëri prej tyre ishte Lucas Biglia, ish-mesfushor i Lazios dhe Milanit, i cili ka luajtur për shumë vite përkrah Messit në kombëtaren argjentinase.
Biglia i kujtoi dy momente të veçanta kur e ka parë Messin të përlotur.
“Messi është pjesë e jona. E kam parë të qajë vetëm dy herë. Tani, teksa po mendon për gjithçka që ka bërë në jetën e tij, më kujtohet edhe finalja e Botërorit 2014. Një vit më vonë e humbëm edhe finalen e Kupës së Amerikës ndaj Kilit dhe ai deklaroi se nuk donte të luante më për kombëtaren”, tregoi Biglia për Sky Sport, përcjell “Gazeta Express”.
Ish-mesfushori argjentinas theksoi se trashëgimia e Messit shkon përtej asaj që e ka bërë në fushën e futbollit.
“Gjëja më e bukur është se ai na mësoi më shumë se kurrë të mos dorëzohemi. Vlerat që Leo Messi i ka përcjellë shkojnë përtej asaj që na ka treguar në një fushë futbolli. Ai e ka mësuar një popull të tërë të mos dorëzohet”, përfundoi Biglia.
Messi e mbylli aventurën me Argjentinën me 208 paraqitje, duke e lënë pas një histori të jashtëzakonshme me fanellën e kampionëve të botës.