Arben Llalla i përgjigjet eurodeputetit grek: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë ‘popullsi mbi tokë greke’
Historiani Arben Llalla, një zë i fortë në mbrojtje të interesave kombëtare ka reaguar pas deklaratës së eurodeputetit grek që deklaroi se Shkupi nuk ekziston si shtet dhe se Maqedonia e Veriut është tokë greke e banuar nga bullgarë dhe shqiptarë.
Llalla shprehet se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë “popullsi mbi tokë greke” por pjesë e një shoqërie dhe shteti ku kanë jetuar breza të tërë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në historinë, zhvillimin dhe të ardhmen e këtij vendi.
“Deklarata e eurodeputetit grek Emanuil Fragos, se Shkupi nuk ekziston si shtet dhe se Maqedonia e Veriut është tokë greke e banuar nga bullgar dhe shqiptarë, nuk është thjesht një deklaratë e papërgjegjshme politike. Ajo është shprehje e një mentaliteti nacionalist që duket se ende nuk ka dalë nga shekulli XIX.
Është e habitshme që në shekullin XXI, në zemër të institucioneve evropiane, një përfaqësues politik të flasë me gjuhën e mohimit të shteteve, popujve dhe realiteteve të krijuara gjatë më shumë se një shekulli.
Kufijtë e Ballkanit nuk mund të ndryshohen me deklarata politike dhe as historia nuk mund të rishkruhet sipas dëshirave nacionaliste të askujt.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk janë “popullsi mbi tokë greke”. Ata janë pjesë e një shoqërie dhe shteti ku kanë jetuar breza të tërë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në historinë, zhvillimin dhe të ardhmen e këtij vendi.
Nëse Europa dëshiron të jetë vërtet një hapësirë paqeje dhe bashkëpunimi, duhet t’u japë zë atyre që ndërtojnë ura, jo atyre që ushqejnë pretendime territoriale dhe nacionalizëm.
Ballkani nuk ka nevojë për politikanë që ëndërrojnë hartat e shekullit XIX. Ka nevojë për liderë që kanë vizionin e shekullit XXI” shkruan Llalla.