Tetovë – SHMK Gjimnazi i Dytë “7 Marsi” në Tetovë do t’i bashkohet shënimit të 10 Tetorit – Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, duke organizuar një sërë aktivitetesh me moton “Kujdesemi për veten dhe njëri-tjetrin” informon Tetovasot .
Psikologia e shkollës Maki Sherifi bëri të ditur se aktivitetet do të zhvillohen në bashkëpunim me Odën e Psikologëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kanë për qëllim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit mendor te nxënësit dhe stafi arsimor.
Në kuadër të kësaj dite do të organizohen disa iniciativa, mes tyre “Pema e Mbështetjes”, ku nxënësit do të kenë mundësi të shkruajnë mesazhe inkurajuese, kutia anonime “Më dëgjo”, e cila do t’u ofrojë hapësirë të sigurt nxënësve për të ndarë shqetësimet e tyre, si dhe mini-biseda nëpër klasa, ku do të trajtohen tema si stresi, ankthi, cilësia e gjumit, bullizmi, ndikimi i rrjeteve sociale dhe rëndësia e kërkimit të ndihmës profesionale.
Sherifi thekson se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik dhe fton të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit të bëhen pjesë e aktiviteteve, me synim krijimin e një ambienti më mbështetës dhe më të sigurt për të gjithë.

Drejtori Ismail Vlashi tha se institucioni që drejton i bashkohet nismës mbarëkombëtare të Odës së Psikologëve: Reflektim dhe mbështetje për shëndetin mendor
​Më datë 8 dhe 9 tetor 2026, me fillim në orën 10:10, shkolla do t’i bashkohet nismës mbarëkombëtare të organizuar nga Oda e Psikologëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
​Gjatë këtyre ditëve, mësimi i rregullt do të ndërpritet për vetëm 10 minuta. Kjo kohë do t’i përkushtohet reflektimit të nxënësve përmes tri pyetjeve udhëzuese:
​Çfarë më ngarkon më shumë kohët e fundit?
​Çfarë më ndihmon?
​Nga kush mund të kërkoj mbështetje?
​”Një orë pa rol” – Mbështetje për ata që kujdesen për të tjerët
​Përmes motos “Kujdeset kush për ata që kujdesen për të tjerët?”, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe mësimdhënësve dhe stafit të shkollës. Qëllimi kryesor është promovimi i kujdesit ndaj vetvetes dhe parandalimi i burnout-it (mbingarkesës emocionale).

​Të gjitha aktivitetet e realizuara në klasa, korridore apo hapësira të tjera të shkollës do të dokumentohen me fotografi. Këto materiale do të dërgohen për t’u publikuar në hartën ndërvepruese të Odës së Psikologëve.
​Ky varg aktivitetesh realizohet për herë të parë në këtë format, ndërsa shkolla është përzgjedhur mes institucioneve të privilegjuara nga Oda e Psikologëve të RMV-së. Drejtuesit e shkollës ftojnë të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit të japin kontributin e tyre për realizimin me sukses të kësaj nisme me rëndësi të veçantë.
​

Organizimi:
​Drejtor: Ismail Vlashi
​Psikologe / Organizatore: Makfire Sherifi
​Në bashkëpunim me: Odën e Psikologëve të RMV-së.



Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume