Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodríguez kanë zgjeruar portofolin e tyre të pasurive të paluajtshme me dy vila luksoze në një prej destinacioneve më të izoluara të Detit të Kuq.Çifti ka blerë dy rezidenca në kompleksin ekskluziv Nujuma, pjesë e një resorti Ritz-Carlton Reserve në Arabinë Saudite. Destinacioni ndodhet rreth 26 kilometra larg tokës dhe është i aksesueshëm vetëm me varkë të marrë me qira ose me hidroavion.

Njëra prej vilave ka tre dhoma gjumi dhe është menduar për qëndrime me familjen, ndërsa tjetra ka dy dhoma gjumi dhe ofron një hapësirë më private për çiftin. Kompleksi përfshin vetëm 19 vila private, të rrethuara nga plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra të kristalta.

Ronaldo dhe Georgina e kanë vizituar këtë destinacion disa herë dhe, sipas kompanisë që zhvillon projektin, bukuria natyrore dhe privatësia e zonës ndikuan në vendimin e tyre për të blerë pronat.

Deti i Kuq është një vend vërtet i jashtëzakonshëm. Që nga vizita jonë e parë, Georgina dhe unë ndjemë një lidhje me ishullin dhe bukurinë e tij natyrore. Është një vend ku ndihemi në paqe-është shprehur Ronaldo.
Tashmë, çifti mund ta përdorë këtë destinacion për të kaluar kohë me familjen larg vëmendjes publike. Pronat e reja janë pjesë e një prej projekteve më ekskluzive turistike në rajon, ku privatësia dhe kontakti me natyrën janë ndër elementet kryesore të konceptit.

Sa i përket vlerës së vilave, raportimet e ndryshme në media japin shifra që arrijnë në rreth 10 milionë euro për të dyja, ndërsa çmimi i saktë i blerjes nuk është bërë publik zyrtarisht.