Mexhiti: Pishina e re në shkollën “7 Marsi”, investim prej rreth 1 milion eurosh për fëmijët e Çairit
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka vizituar shkollën fillore “7 Marsi”, ku ka ndjekur nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e pishinës së re shkollore, një investim me vlerë prej rreth 1 milion eurosh, i dedikuar zhvillimit sportiv dhe krijimit të mundësive të reja për fëmijët e Çairit.
Gjatë vizitës, Mexhiti bëri të ditur se punimet po zhvillohen sipas dinamikës së planifikuar dhe se projekti po i afrohet përfundimit, ndërsa hapja e pishinës pritet të realizohet së shpejti. Ky investim synon t’u mundësojë nxënësve kushte bashkëkohore për mësimin e notit, zhvillimin e talenteve sportive dhe përfshirjen në aktivitete që promovojnë shëndetin dhe zhvillimin fizik.
“Premtimet po i realizojmë një nga një. Sot isha në shkollën ‘7 Marsi’, për të parë nga afër punimet e pishinës së re, të cilat po ecin sipas planit. Këtë projekt e premtuam gjatë fushatës, e përfshimë në programin tonë dhe sot po e bëjmë realitet. Me rreth 1 milion euro investim, po krijojmë kushte që fëmijët tanë të mësojnë notin, të zhvillojnë talentet dhe të rriten me sport. Besimin që na e dhanë qytetarët po e kthejmë në punë dhe investime konkrete”, deklaroi Mexhiti.
Pishina e re në shkollën “7 Marsi” është pjesë e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe sportive të Komunës së Çairit, me fokus në përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe krijimin e mundësive të barabarta për zhvillimin e tyre.







