Një fenomen i pazakontë atmosferik, me dy vorbulla ujore, goditi të premten zonën e Trapanit në Itali, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa, automjete dhe kultura bujqësore, si dhe duke lënduar disa persona.

Fenomeni u formua në det, pranë portit të Marsalës, përpara se të lëvizte drejt tokës dhe të përfshinte disa pjesë të rajonit të Trapanit. Në Marsala, një shkollë u godit drejtpërdrejt nga vorbulla, ndërsa në Petrosino një automjet u përplas nga erërat e fuqishme dhe përfundoi në një greminë. Dy persona që ndodheshin në makinë u lënduan dhe u dërguan në spital.

Dëmet në shkollën e Marsalës ishin veçanërisht të mëdha. Drejtori i institucionit, Leonardo Gullotta, tha se ndërtesa në zonën Terrenove, pjesë e shkollës “Alcide De Gasperi”, ishte shkatërruar plotësisht nga vorbulla ujore, transmeton Telegrafi.

Në momentin e ngjarjes, në shkollë ndodheshin 273 fëmijë. Sipas drejtorit, të gjithë arritën të qëndronin të sigurt falë reagimit të shpejtë të stafit dhe masave të marra për t’u strehuar në një pjesë më të mbrojtur të ndërtesës.

“Një vorbull ujore goditi drejtpërdrejt objektin e Terrenoves dhe e shkatërroi plotësisht. Për fat të mirë, falë veprimeve të stafit dhe të miat, kërkuam një zonë më të sigurt brenda ndërtesës, pasi ishte e pamundur të dilnim jashtë”, deklaroi Gullotta.

Ai shtoi se asnjë pjesëtar i stafit dhe asnjë fëmijë nuk pësoi lëndime serioze, ndërsa disa prej tyre patën vetëm gërvishtje të lehta.

Shërbimet e emergjencës mbërritën shpejt në vendngjarje, pavarësisht vështirësive në rrugë dhe automjeteve që, sipas drejtorit, ishin ngritur në ajër nga erërat e fuqishme.

“Gjithçka përfundoi mirë. Zoti na ndihmoi”, tha ai.

Ndërkohë, stuhitë e fuqishme kanë shkaktuar probleme edhe në pjesë të tjera të Italisë. Në zonën e Kremonës, rrugët janë përmbytur pas një stuhie të fortë me bubullima.

Autoritetet kanë vendosur gjithashtu alarm meteorologjik të nivelit portokalli për rajonet Lazio dhe Campania, për shkak të rrezikut nga reshjet e dendura dhe përmbytjet e mundshme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume