Ish-shefi i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), August Hanning, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh, kishte mbajtur kontakte të hershme me një ish-gjeneral të lartë kinez, ka raportuar revista gjermane “Der Spiegel”, transmeton Reuters.

Sipas raportimit, Hanning kishte udhëtuar disa herë në Kinë dhe kishte pasur lidhje me Wang Jianzheng, një ish-gjeneral major kinez, i cili më herët kishte shërbyer si zyrtar në ambasadën e Kinës në Gjermaninë Lindore, në kohën kur vendi ishte i ndarë.

Wang përshkruhet si ekspert i çështjeve që lidhen me Gjermaninë dhe kishte përkthyer disa libra nga gjuha gjermane në gjuhën kineze.

Hanning drejtoi shërbimin e inteligjencës së jashtme gjermane nga viti 1998 deri më 2005. Ai u arrestua këtë javë nën dyshimin për spiunazh dhe veprimtari të lidhura me tradhtinë ndaj shtetit

Sipas raportimeve për rastin, hetuesit dyshojnë se, pas largimit nga shërbimi, Hanning kishte siguruar dokumente konfidenciale përmes ish-shefit të tij të kabinetit dhe se një pjesë e informacionit mund të jetë përdorur në kontaktet me shërbime të huaja të inteligjencës.

Megjithatë, prokurorët gjermanë nuk kanë bërë të ditur se çfarë informacioni dyshohet se është shpërndarë dhe kujt i është përcjellë. As raportimi për kontaktet me ish-gjeneralin kinez, në vetvete, nuk dëshmon se atij i janë dorëzuar dokumente sekrete.

Avokati i Hanningut i ka mohuar akuzat se klienti i tij ka dëmtuar interesat e Gjermanisë, duke pretenduar se ai po ndiqet penalisht padrejtësisht.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume