Në këtë mënyrë për çdo ditë, banorët e lagjes “Dardania” kalojnë rrugën, me shumë rrezik nga gropa e hapur dhe frikë nga rrëshqitja e mundshme e dheut në këtë pikë.

Edhe më vështirë e kanë bujqit e kësaj zone. Që në pranverë, kur edhe nisën punimet për kanalizimin atmosferik, ujësjellësit nëntokësor dhe rregullimin e nënkalimit, bujqit kanë pengesa për të shkuar në tokat e tyre. Kërkojnë nga komuna që të mbyll sa më shpejtë këtë projekt, që të mund t’i kthehen qarkullimit normal. Edhe pse nga komuna thonë se punimet po zhvillohen, në terren nuk duken punëtorët.

“Këtu është shumë rrezik për të kaluar. Duhet ta bëjnë sa më shpejt rrugën që të kalojmë për në fusha. Nuk di çfarë të them, nga të shkojmë… Të dalim në autostradë është e ndaluar, kurse kjo ka katër muaj që është e mbyllur. Njerëzit as në fusha nuk kalojnë dot dhe i kanë lënë pa punuar shkaku të rrugës,” tha një banor.

“Është shumë e nevojshme sepse nuk kemi nga të lëvizim. Unë bëj xhiro të madhe për shkak të kësaj rruge. Ka më shumë se dy muaj që është e mbyllur.” – Banor.

Por edhe përkundër ankesave të banorëve, komuna thotë se punët po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë, ndërsa nuk dinë të thonë se, kur do të përfundojë ky projekt.

“Sipas informacioneve, punimet për rregullimin e kanalizimit atmosferik në lagjen ‘Dardania’ po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë nga realizuesi. Para disa ditësh u realizua kyçja në gypin qendror në rrugën për në fshatin Zhelinë, si dhe u bë depërtimi në autostradën Shkup–Gostivar. Në këtë pjesë, përveç kanalizimit atmosferik, është rregulluar edhe tubacioni i rrjetit të ujësjellësit, duke përmirësuar kështu infrastrukturën e furnizimit me ujë për banorët e kësaj zone.” – Besarta Ramadani – zëdhënëse e komunës së tetovës.

Shkaku i bllokimit të nënkalimeve nga uji gjatë rreshjeve të shiut, shpesh ndodhte që pikërisht në këto nënkalime, të ngecin makina me njerëz, e që më pastaj kërkonte intervenim nga zjarrfikësit për t’i hequr nga rreziku. /Alsat

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume