Shkruan: Merxhan Jakupi
Shumë analistë politikë perëndimorë dhe vendas analizojnë skenarë të ndryshëm për mënyrën se si do të duket realiteti politik dhe shoqëror në Serbi pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat pritet të mbahen më 25 tetor. Për më tepër, analistët shtrojnë dilemat në rast se Aleksandar Vuçiq fiton në këto zgjedhje dhe zgjidhet sërish kryeministër i Serbisë.
Opozita proevropiane, shtetet fqinje të rajonit dhe një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian shprehin shqetësim për Serbinë dhe rajonin. Në Bruksel ka edhe disa syresh që e shohin Aleksandar Vuçiqin si një lider pragmatik, i cili mund të garantojë stabilitetin rajonal. Nga ky këndvështrim ndaj tij po ndiqet një politikë që mbështetet më shumë te joshja me karotë sesa te përdorimi i shkopit.
Shumë analistë dhe kritikë të regjimit të Aleksandar Vuçiqit e konsiderojnë diskursin dhe doktrinën e tij politike si vazhdimësi të drejtpërdrejtë të politikave të Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Koshtunicës. Aleksandar Vuçiq, një populist dhe autokrat, vazhdon të ndjekë diskursin dhe doktrinën politike të Sllobës. Dallimet dhe nuancat mes dy liderëve qëndrojnë në faktin se Vuçiqi përdor retorikën politike dhe marketingun e një lideri modern.
Publicisti, analisti dhe shkrimtari serb Svetislav Basara është një nga kritikët më të ashpër të Aleksandar Vuçiqit. Përveç Vuçiqit dhe elitës politike që ka kapur shtetin, Basara është kritik edhe ndaj opozitës serbe.
Fatkeqësia e një pjese të opozitës, e karakterizuar nga populizmi dhe rusofilia, qëndron në faktin se ajo vuan nga i njëjti sindrom si pushtetarët. Po ashtu, Basara kritikon ashpër shoqërinë serbe dhe mentalitetin e saj, që mbeten të ngujuara pas hipotezave, klisheve, nacionalromantizmit dhe mitit për Kosovën. Një shoqëri që, sipas tij, vazhdon të jetojë mes miteve, iluzioneve dhe flamujve mesjetarë.
STATUS QUO-JA DHE DEFICITI I DEMOKRACISË
Sipas analistëve perëndimorë dhe atyre vendas, vazhdimi i regjimit të Aleksandar Vuçiqit e çon rajonin drejt destabilizimit dhe dezintegrimit. Vazhdimi i qëndrimit të Vuçiqit në pushtet është një hedonizëm, që e lë Serbinë, në të ardhmen, larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e shndërruar atë në një ishull të rrethuar nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, të mbetur sanduiç mes shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas analistit dhe profesorit universitar në Universitetin e Grazit, në Austri, Florian Bieber, Vuçiqi do të vazhdojë të mbështetet në disa shtylla të politikës së jashtme, duke pritur një triumf të mundshëm të Putinit në të ardhmen. Nga kjo perspektivë, në kontekstin e rendit të ri botëror, Vuçiqi e sheh diskursin e politikës së jashtme të Donald Trumpit dhe afrimin me Putinin e Kremlinin si një lloj mburoje politike dhe përparësie për Serbinë.
Nga kjo perspektivë, Serbia mund të vazhdojë të ndjekë në rajon politika hegjemoniste dhe unitariste, të mbështetura në projekte dhe harta të “Botë Serbe” në Ballkanin Perëndimor.
Brenda elitës politike dhe qarqeve proruse, përmes mediave, portaleve dhe gazetave, promovohet narrativa e pritjes “duke pritur Godon”.
Sipas tabloideve dhe qarqeve rusofile e putinofile, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, në të ardhmen, do të shpërbëhen, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen nga Ballkani Perëndimor.
Në këtë skenar, Serbia do të vazhdojë, së bashku me Rusinë, të jetë një faktor ekspansionist dhe hegjemonist në Ballkan. Megjithatë, kjo narrativë dhe ky diskurs politik mbeten utopikë. Ato shprehin vullnetin dhe dëshirën e një pjese të shoqërisë serbe, e cila vazhdon të ushqehet me ambicie gjeopolitike dhe iluzione jashtë çdo realiteti të mundshëm, pra ngjan me iluzionin grek.
Nacionalistët ortodoksë grekë akoma vazhdojnë të ushqejnë shpresën se, në të ardhmen, Kostandinopoja (Stambolli) do t’i rikthehet Perandorisë Bizantine greke.
Një pjesë e liderëve nacionalistë serbë, së bashku me Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Kishën Ortodokse Serbe dhe qarqet nacionaliste shpresojnë dhe besojnë në një ndryshim të balancave globale. Sipas kësaj perspektive, rikthimi në skenën ndërkombëtare i aleatëve të Serbisë, Rusisë dhe Kinës, do të krijonte kushtet për rikthimin e Kosovës dhe bashkimin e të gjitha trojeve të pretenduara si serbe në një shtet të vetëm serb.
Narrativa për rikthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, sipas një pjese të analistëve serbë, si Boshko Jakshiq, Milan St.Protiq dhe Nenad Çanak, mbetet “fryt” i iluzioneve dhe utopisë politike.