Ejup Berisha
Po Demokracia shpesh përshkruhet si "oskigjeni " i jetës politike, pasi e njejta i
lejon një shoqërie të marrë frymë lirishëm falë respektimit të lirive civile, të
drejtave të njeriut dhe transparencës. A mund të jetojë një person pa oksigjen? Jo,
një person nuk mund të jetojë biologjikisht pa oksigjen, ndërsa realiteti ka vërtetuar
se fizikisht ai ka mbijetuar dhe mbijeton pa demokraci.
Hunoristi francez Pierre Desproges, ironikisht ka deklaruar: “Ashtu siç një burrë
nuk mund të jetojë pa oksigjen, ai nuk mund të jetojë edhe pa një grua.”
Nëse e transferojmë këtë ide në politikë, ndryshimi midis dy nevojave është ky.
Oksigjeni është një nevojë jetësore biologjike: Pa të trupi i njeriut pushon së
funksionuari brenda pak minutash.Pra është një kusht absolut për mbijetesën e
specieve njerëzore. Ndërsa Demokracia është një domosdoshmëri politike dhe
filozofike. Historia tregon se qeniet njerëzore mund të jetojnë dhe të zhvillohen
fizikisht nën regjime autoritare, diktatoriale ose monarkike. Megjithatë, në një
nivel moral dhe shoqëror, demokracia shpesh konsiderohet thelbësore për
garantimin e dinjitetit njerëzor për shkak të lirive individuale të cilat e sigurojnë
autonominë dhe dinjitetin njerëzor.
Por sot fatkeqsishtë në nivel lokal kombëtar por edhe global, po përjetojmë një
deficit të theksuar demokratik. Kjo rënie e standardeve demokratike mund të
shpjegohet nga disa faktorë kryesorë si:
Kriza e besimit në institucione
Qytetarët kanë gjithnjë e më pak besim në partitë politike, parlamentet dhe sistemet
gjyqësore. Kur qytetarët mendojnë se institucionet po i mbrojnë interesat e elitave
dhe jo të tyret, kjo te ta lind apati dhe mosangazhim politik.
Erozioni i sundimit të ligjit dhe korrupsioni
Korrupsioni dhe ndikimi politik mbi gjyqësorin e dobësojnë strukturën
demokratike. Kur ligjet nuk zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë,
demokracia e humbe parimin e saj themelor barazinë e qytetarëve.
Rritja e populizmit dhe polarizimit
Në mbarë botën, shumica e udhëheqësve po e përdorin retorikën populiste që e
ndan shoqërinë në "ne" dhe "ata". Ky polarizim ekstrem e shkatërron hapësirën e
nevojshme për dialog dhe kompromis, të cilat janë gurthemeli i një demokracie të
shëndoshë.
Pabarazia Ekonomike
Pasiguria ekonomike dhe hendeku në rritje midis më të pasurve dhe më të varfërve
e dobësojnë sistemin. Kur përparësia absolute është mbijetesa e përditshme,
atëherë çështjet e lirisë së shprehjes ose reformat institucionale kalojnë në plan të
dytë, duke e hapur rrugën për ndryshime autoritare nën maskën e premtimeve të
stabilitetit ekonomik.
Dezinformimi dixhital
Shfaqja e mediave sociale, e cila fillimisht kishte për qëllim demokratizimin e
qasjes deri te informatat me karakter publik, ato e kanë lehtësuar gjithashtu edhe
përhapjen masive të lajmeve të rreme dhe gjuhës së urrejtjes. Kjo e dëmton
aftësinë e qytetarëve për të marrë vendime politike.
Cila është perspektiva e demokracisë sot?
Demokracia sot përballet me sfida serioze si autoritarizmi, dezinformimi dhe
polarizimi, por e njejta mbetet shumë jetike, sepse historia tregon se njerëzit mund
të mbijetojnë pa të, por në dëm të lirive dhe të drejtave të tyre themelore.
Gjendja aktuale globale e demokracisë dhe çështja e mbijetesës njerëzore mund të
analizohen përmes disa aspekteve kryesore.
Raportet nga institucionet përkatëse (si Freedom House ose V-Dem) vite me radhë
kanë treguar për një valë “regresioni demokratik”. Shumë vende po përballen me
rritjen e populizmit dhe dobësimin e institucioneve të pavarura.
Presioni teknologjik. Zhvillimi i rrjeteve sociale dhe i inteligjencës artificiale
kontribuojnë në përhapjen e shpejtë të dezinformimit, gjë që e minon besimin e
qytetarëve në zgjedhjet dhe sistemet demokratike.
Nevoja për reforma. Për të mbijetuar, demokracia bashkëkohore duhet të
përshtatet, duke ofruar zgjidhje më të mira ekonomike për të gjitha nivelet e
shoqërisë dhe ta rrisë përfshirjen e qytetarëve në proceset vendim-marrëse.
Demokracia nuk është e përsosur, por ofron një mekanizëm për ndryshim paqësor
të pushtetit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke e bërë atë kornizën më të
njohur për bashkëjetesë dinjitoze.
Perspektivat e demokracisë sot shënohen nga sfida të mëdha si rritja e
autoritarizmit dhe rritja e dezinformimit, por historia tregon se nëse qenia njerëzore
mund të mbijetojë fizikisht pa demokraci, kjo shpesh është në dëm të zhvillimit
dhe përparimit të tij. Dhe për fund Demokracia mbetet sistemi më mbrojtës i të
drejtave dhe lirive të njeriut dhe i vetmi që lejon korrigjimin e gabimeve të veta në
mënyrë paqësore.