Bërvenica nesër zgjedh kryetarin e komunës, sot votojnë të sëmurët dhe personat me gjendje të rënduar shëndetësore
Banorët e Komunës së Bërvenicës nesër do të votojnë për kryetarin e ri të komunës në zgjedhjet e parakohshme lokale, pas vdekjes së kryetarit të deriatëhershëm, Jovica Ilievski, më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), sot do të votojnë 88 persona të sëmurë dhe të pamundur.
Në zgjedhjet për kryetar të Bërvenicës garojnë gjashtë kandidatë, të mbështetur nga katër blloqe politike dhe dy kandidatë të pavarur.
Stojanço Radieski është kandidat i koalicionit “Maqedonia Jote”, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Jovica Radeski garon nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja, Jakup Useini është kandidat i koalicionit VLEN, ndërsa Arkin Jahiji përfaqëson Aleancën Kombëtare për Integrim (AKI). Në garë janë edhe dy kandidatë të pavarur.
Gjatë muajve të fundit, detyrën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të komunës e ka ushtruar Robert Millosheski.
Vendvotimet nesër do të hapen në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Në Listën Zgjedhore, në dhjetë vendbanimet e Komunës së Bërvenicës, janë regjistruar gjithsej 16.256 votues. Prej tyre, 449 janë përkohësisht në punë jashtë vendit, ndërsa në burg ose në paraburgim ndodhen nëntë votues.