Protesta në Tiranë është shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë, ndërsa efektivët e forcave speciale RENEA janë vendosur sërish pranë Kryeministrisë, për të tretën natë radhazi.
Situata në kryeqytetin shqiptar vijon të jetë e tensionuar, me forcat e rendit të pozicionuara në zonën përreth godinës së Kryeministrisë, në kuadër të masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e protestës.
Përplasjet vijnë pas incidenteve të regjistruara gjatë tubimit, ku janë raportuar hedhje fishekzjarrësh dhe molotovësh në drejtim të Policisë.
Ndërkohë, tensionet janë përhapur edhe në sheshin “Skënderbej”, ku dy automjete të Policisë u janë vënë në ndjekje protestuesve, në përpjekje për t’i larguar ata nga zona.
Sipas gazetares së Euronews Albania, Enkelejda Mema, Policia po përdor ujë dhe gaz lotsjellës edhe ndaj protestuesve paqësorë.
Ndërhyrja e forcave të rendit dhe përplasjet në disa pjesë të kryeqytetit kanë bërë që situata të mbetet e tensionuar, ndërsa Policia vazhdon të jetë e pozicionuar në zonat ku po zhvillohet protesta.