Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, e ka cilësuar si skandaloze deklaratën e zëdhënësit të VLEN-it, Driton Sulejmani, lidhur me qëndrimin e kësaj partie për mbështetjen e kandidatëve në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Bërvenicës.
Sela e kritikoi ashpër Sulejmanin, duke e cilësuar deklaratën e tij si shprehje servilizmi dhe mungese qëndrimi. Ai theksoi se qytetarët e Bërvenicës e kanë shprehur qartë vullnetin e tyre dhe se subjektet politike duhet ta marrin parasysh atë.
“Skandaloze. Deklarata e Driton Sulejmanit, zëvendësministrit të Arsimit, është deklaratë prej një servili dhe është një deklaratë e një pakurrizori, i cili deklaroi se kryesia e VLEN-it do të diskutojë në atë drejtim se kush do të përkrahet në raundin e dytë. Folën qytetarët e Bërvenicës, folën qartazi. Dhe këtu nuk është më çështje e qëndrimit të subjekteve politike. Kanë folur qytetarët dhe ne vetëm duhet të dëgjojmë zërin e tyre”, deklaroi Sela.