Gazetari Nevrij Ademi, letër të hapur studentëve: Mendoj se ka ardhur koha që kauza jonë/juaj të mos mbetet vetëm tek gjuha!
Letra e plotë e gazetarit Nevrij Ademi:
LETËR TË HAPUR STUDENTËVE
MENDOJ SE KA ARDHUR KOHA QË KAUZA JONË/JUAJ TË MOS MBETET VETËM TEK GJUHA!
Gjuha është identiteti ynë, është historia jonë dhe është e drejtë për të cilën kemi luftuar e vazhdojmë të luftojmë. Por jeta e qytetarit nuk mund të reduktohet vetëm në këtë çështje.
Sot, kauza jonë/juaj duhet të jetë buka e gojës!
Duhet të jetë nafta, vaji, mielli dhe shporta mujore e çdo familjeje. Duhet të jetë paga që nuk mjafton deri në fund të muajit, rryma që rëndon mbi buxhetin familjar, çmimi i biletave të autobusëve dhe çdo produkt e shërbim që është bërë gjithnjë e më i papërballueshëm.
Duhet të jetë prindi që shkon në punë çdo mëngjes, por në fund të muajit e ka të vështirë t’i plotësojë nevojat e familjes. Duhet të jetë i riu që punon, por nuk arrin të kursejë për të ardhmen. Duhet të jetë pensionisti që numëron çdo denar para se të blejë ilaçet dhe ushqimin.
Sepse nuk mund të flasim për dinjitet kombëtar, nëse qytetari nuk ka dinjitet ekonomik. Nuk mund të flasim për të ardhmen, nëse familjet tona mezi e përballojnë të tashmen.
Nuk është normale që qytetari të jetojë me ankthin e faturave, ndërsa politika të jetojë me ankthin se kush do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.
Nuk është e drejtë që çdo katër vjet qytetari të jetë në qendër të fjalimeve, por çdo ditë të mbetet në fund të listës së prioriteteve.
Ne kemi nevojë për një kauzë që bashkon, jo vetëm për çështje që na ndajnë. Kemi nevojë për një politikë që matet me standardin e jetesës, me fuqinë blerëse, me pagat, me çmimet dhe me mundësitë që u ofron qytetarëve.
Gjuha jonë është e drejtë që duhet mbrojtur. Por buka jonë është e drejtë që duhet siguruar. Njëra nuk e përjashton tjetrën!
Ka ardhur koha që zëri ynë/juaj të dëgjohet edhe për çmimin e naftës, për shportën familjare, për energjinë elektrike, për transportin publik dhe për pagat që duhet të garantojnë një jetë dinjitoze.
Sepse në fund të ditës, qytetari nuk jeton me deklarata politike. Ai jeton me pagën e tij, me ushqimin që vendos në tryezë dhe me mundësinë për t’i siguruar familjes një jetë më të mirë.
Kauza jonë/juaj duhet të jetë qytetari. Halli i tij duhet të jetë halli ynë. Dhe standardi i jetesës duhet të jetë një nga betejat tona/tuaja kryesore!