Qeveria planifikon investime të reja në shëndetësi, përfshirë spitalet klinike në Shtip dhe Tetovë, si dhe objektin shëndetësor në Kërçovë. Ndërkohë, po zhvillohen negociata për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se vendi ka siguruar 100 autoambulanca të reja, duke paralajmëruar se, nëse gjithçka shkon sipas planit, vitin e ardhshëm mund të sigurohen edhe 50 të tjera.
Gjatë promovimit të automjeteve të reja, Mickoski theksoi se investimet synojnë përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve emergjente.
„Do të doja të shprehja dëshirën që këto automjete të përdoren sa më pak, sepse kjo do të nënkuptonte më pak raste që kërkojnë ndërhyrje. Megjithatë, aty ku paraqitet nevoja, jam i bindur se me këto automjete do të mund të arrihet më shpejt dhe të ndërhyhet me më shumë saktësi, falë pajisjeve me të cilat disponojnë“, deklaroi Mickoski.
Ai tha se Qeveria po përpiqet të përmirësojë gjendjen në sektorët që, sipas tij, për vite me radhë janë lënë pas dore, duke theksuar se problemet nuk mund të zgjidhen të gjitha menjëherë.
Investime në spitalet e Shtipit, Tetovës dhe Kërçovës
Mickoski bëri të ditur se prioritet në periudhën e ardhshme do të jenë investimet në shëndetësi. Sipas tij, Qeveria po i përmbyll negociatat me partnerët dhe institucionet financiare për financimin e disa projekteve të rëndësishme, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Bankën Evropiane të Investimeve.
Projektet përfshijnë Spitalin Klinik në Shtip, objektin shëndetësor me veprimtari të zgjeruar në Kërçovë dhe Spitalin Klinik në Tetovë.
Sipas kryeministrit, pas misionit të fundit të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve, miratimi formal për financimin e projekteve pritet të bëhet në fund të tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.
Nëse procedurat zhvillohen sipas planit, tenderët do të shpallen pas miratimit të financimit, ndërsa realizimi i projektit të parë pritet të nisë në fund të tremujorit të dytë ose në fillim të tremujorit të tretë të vitit të ardhshëm.
Qendra e re Klinike në Shkup
Një tjetër projekt i rëndësishëm, sipas Mickoskit, është ndërtimi i Qendrës së re Klinike në Shkup. Ai bëri të ditur se po shqyrtohen dhe diskutohen dy lokacione të mundshme, ndërsa negociatat pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
Kryeministri theksoi se planifikimi i objektit duhet të marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë mjekësore gjatë 10 deri në 15 viteve të ardhshme, në mënyrë që investimi të jetë funksional dhe modern edhe në periudhën 2035–2040.
Sipas tij, lokacioni i ri synohet të lidhet funksionalisht me spitalin „8 Shtatori“, qendrën Pet dhe poliklinikën „Bukureshti“.
Në bashkëpunim me Komunën e Karposhit, po shqyrtohen edhe mundësitë për sigurimin e vendeve të reja të parkimit, me qëllim që të shmanget mbingarkesa në këtë pjesë të Shkupit pas vënies në funksion të kompleksit të ri shëndetësor.
Projekte të tjera infrastrukturore
Mickoski përmendi edhe investimet në sektorë të tjerë, duke përfshirë 120 automjete të reja të siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme, rreth 100 automjete për „Postën“ dhe 53 automjete për komunat, të cilat përdoren për pastrimin e mbeturinave.
Ai paralajmëroi gjithashtu se në një periudhë të afërt pritet të sigurohen 150 autobusë të rinj elektrikë, të cilët do të shpërndahen në qytetet e vendit.
Në fund, kryeministri falënderoi ministrin e Shëndetësisë, punonjësit shëndetësorë, mjekët, institucionet dhe deputetët për kontributin në realizimin e projekteve, duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë investimet për përmirësimin e kushteve të punës dhe të shërbimeve për qytetarët.