Pak pas mesnatës së 18 tetorit, pothuajse 1.000 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës, një satelit ushtarak rus, i njohur si Kosmos-2612, bëri diçka jashtëzakonisht të pazakontë.

Ai iu afrua një sateliti tjetër – të regjistruar në Shtetet e Bashkuara, që operohet nga një kompani finlandeze dhe që, mes tjerash, ofron informacione të inteligjencës për Ukrainën.

Sa afër u afrua?

Sipas disa vlerësimeve, 200 metra. Ndoshta edhe më pak.

“Kjo është provokuese. Por, sipas meje, është tipike për gjërat që Rusia bën vazhdimisht”.
Incidenti ka tërhequr vëmendjen e vëzhguesve amatorë të satelitëve dhe kompanive komerciale, por edhe të agjencive perëndimore të inteligjencës, në një shkallë që nuk është parë që një kohë të gjatë.

Ky është po ashtu rasti më i fundit në një seri veprimesh gjithnjë e më përshkallëzuese që përfshijnë jo vetëm Rusinë, por edhe SHBA-në, Kinën dhe vende të tjera që operojnë në hapësirë dhe kanë kapacitete satelitore, duke nxitur frikën për një garë armatimi në hapësirë.

Ose, edhe më keq: një luftë në hapësirë.

“Ajo që është e re është se nuk besoj se ka pasur ndonjëherë një afrim të tillë mes dy satelitëve pa koordinim paraprak”, tha Victoria Samson, analiste e hapësirës në Fondacionin Secure World, një institut me seli në Uashington.

“Rusia mund ta bëjë këtë afrim për të ndërhyrë në transmetimin e satelitit finlandez, për ta bllokuar atë, për të përgjuar atë që po përgjon ai, për ta ngacmuar apo edhe për ta dëmtuar fizikisht”, tha ajo.

“Unë do të thosha se kjo po shihet si shqetësuese dhe agresive, me qëllime potencialisht armiqësore”, tha Douglas Loverro, ish-zyrtar i lartë për politikat hapësinore në NASA dhe Departamentin amerikan të Mbrojtjes. “Por, mendoj po ashtu se ata që po e gjykojnë situatën me gjakftohtësi besojnë se kjo është një formë sinjalizimi nga ana e rusëve. Ndërkohë, mendoj se rusët po na mësojnë se si sillemi ne”.

“Nëse është i saktë, afrimi në një distancë prej 150 metrash është jashtëzakonisht i afërt dhe nuk ka gjasa të jetë një veprim rutinë operacional”, tha Bruce McClintock, gjeneral brigade në pension i Forcave Ajrore amerikane, i cili tani është studiues i politikave hapësinore në institutin RAND. “Ky është një shqetësim i ligjshëm për sigurinë dhe mbrojtjen, por nuk duhet të përshkruhet automatikisht si sulm apo si provë e qëllimeve armiqësore”.