Pjesa më e madhe e Europës prej ditësh është përfshirë nga protestat studentore, të cilat sa vijnë dhe prekin edhe vende të tjera. Pas protestave të bujshme që prekën Spanjën, Francën dhe Portugalinë e Danimarkën, ku të rinjtë u bënë bashkë për të protestuar kundër pakënaqësisë së tyre me gjendjen e shkollave dhe krizën më të gjerë të kostos së jetesës, tubimet erdhën duke u zgjeruar dhe më tej duke përfshirë Italinë e së fundmi dhe Greqinë.

Mbrëmjen e djeshme mësohet se studentët dhe mësuesit në Greqi janë mobilizuar në Athinë dhe Selanik duke kërkuar strehim të përballueshëm, paga më të larta dhe investime më të mëdha në arsimin publik, duke iu bashkuar një vale protestash të udhëhequra nga të rinjtë kundër rritjes së kostove të jetesës dhe pasigurisë së strehimit në mbarë Europën.

Raportimet e bëra nga mediat e huaja nxjerrin në pah se të rinjtë së bashku me mësuesit e tyre kanë ngritur stenda në Syntagma të Athinës dhe në Selanik, ku ashtu si në Francë, Spanjë, Portguali, Itali dhe Shqipëri, edhe të rinjtë grekë po sfidojnë kostot e strehimit që ata thonë se e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetesën e tyre.

Ndërkaq mësohet se sindikata e mësuesve të shkollave fillore greke, DOE, bëri thirrje për një grevë 24-orëshe për të kërkuar një rritje të pagave prej 20%, ndihmë për strehimin e mësuesve të caktuar për të punuar në qytete të tjera dhe përmirësime në mjediset shkollore.

Afro 20 shoqata studentore në Athinë iu bashkuan mobilizimit, duke planifikuar të marshonin përkrah mësuesve. Kërkesat e tyre përfshijnë kushte të denja për të gjithë studentët e universitetit, veçanërisht për familje me të ardhura të ulëta që shpërngulen në qytete të tjera për të ndjekur studimet e tyre, pagesa më të larta studentore dhe më shumë vende në rezidencat universitare publike.

Studentët po bëjnë thirrje gjithashtu për kosto më të ulëta të energjisë elektrike dhe karburantit për ngrohje, duke theksuar presionin e shpenzimeve të energjisë krahas kostos së akomodimit.

Ndërkohë, protestat studentore në Shqipëri hyjnë sot në ditën e nëntë, ku studentë dhe pedagogë do të bëhen bashkë në orën 10:00 të mëngjesit, për të marshuar në drejtim të Kryeministrisë, aty ku kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama u ka vendosur sërish karrige dhe ftesat për të dialoguar. Dje ata i refuzuan ftesat për dialog duke i grisur para Kryeministrisë si dhe përmbysën karriget duke sqaruar se nuk dakordësohen për dialog me Edi Ramën.

Pritet për t’u parë se cili do të jetë veprimi i radhës së studentëve dhe pedagogëve në protestën e sotme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume