Nga Dr. Lulzime Qoku – Analiste politike
Mendoj se një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Maqedonia e Veriut sot është humbja e
besimit të qytetarëve te politika. Sepse nuk humbet besimi Brenda ditës. Ai dobësohet gradualisht, sa
herë që premtimet nuk realizohen, sa herë që qytetarët presin ndryshime dhe përballen me të njëjtat
probleme. Gjatë fushatave zgjedhore dëgjojmë shumë premtime për vende të reja pune, zhvillim
ekonomik, drejtësi dhe institucione më efikase. Por qytetarët nuk i vlerësojnë politikanët vetëm nga ajo
që premtojnë. Ata i vlerësojnë nga ajo që bëjnë dhe nga ndryshimet që arrijnë të sjellin në jetën e
përditshme.
Këtë çështje e pasqyrojnë edhe të dhënat e një hulumtimi të Institutit për Demokraci „Societas Civilis“ –
Shkup, të publikuar në vitin 2025. Në një shkallë nga 1 deri në 10, besimi i qytetarëve te Qeveria u
vlerësua me 4,7, te Kuvendi me 4,6 dhe te Presidenti i shtetit me 4,9. Këto rezultate tregojnë se besimi
te institucionet mbetet një çështje që meriton vëmendje serioze. Natyrisht, këto janë të dhëna të vitit
2025 dhe nuk duhen marrë si matje e gjendjes së sotme, por ato na japin arsye të reflektojmë mbi
marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve.
Për mua, pyetja kryesore është: pse qytetarët duhet të vazhdojnë të besojnë, nëse nuk shohin rezultate
konkrete? Ata nuk kërkojnë ndonjë mrekulli, por sa përfillen kërkesat dhe nevojat e tyre .Ata kërkojnë
drejtësi, mundësi të barabarta, respekt dhe institucione që funksionojnë për të gjithë njëjtë. Duan që
puna dhe aftësia të vlerësohen dhe që vendimet të merren në bazë të meritës, jo të afërsisë partiake.
Kur krijohet përshtypja se lidhjet politike kanë më shumë rëndësi se profesionalizmi, atëherë njerëzit
fillojnë të zhgënjehen. Dhe ky zhgënjim nuk mbetet vetëm ndaj një partie të caktuar. Me kalimin e
kohës, ai mund të kthehet në mosbesim ndaj të gjithë sistemit politik.
Politika, sipas meje, nuk duhet të jetë vetëm garë për pushtet, pozita dhe ndikim. Ajo duhet të jetë
përgjegjësi ndaj qytetarëve. Nuk mjafton të kërkosh votën e tyre; duhet të dëshmosh edhe se çfarë ke
bërë me besimin që të kanë dhënë. Kjo përgjegjësi vlen si për ata që qeverisin, ashtu edhe për opozitën.
Qytetarët kanë nevojë për ide të qarta, alternativa konkrete dhe zgjidhje për problemet që i
shqetësojnë. Kritika është pjesë e demokracisë, por ajo duhet të shoqërohet edhe me propozime dhe
përgjegjësi.
Mendoj se duhet t'i kushtojmë më shumë vëmendje edhe mënyrës se si funksionojnë vetë
partitë politike. Nuk mund të kërkojmë demokraci në institucione, nëse brenda partive nuk dëgjohen
mendimet ndryshe, nuk vlerësohet kontributi dhe nuk krijohen mundësi të barabarta për njerëzit që
angazhohen.
Njerëzit nuk duhet të kujtohen vetëm kur nevojiten votat, puna në terren apo mobilizimi i qytetarëve.
Kontributi dhe përkushtimi duhet të vlerësohen edhe kur merren vendime dhe caktohen përgjegjësitë.
Nëse njerëzit nuk ndihen të dëgjuar dhe të respektuar, është e natyrshme që me kalimin e kohës të
zhgënjehen dhe të largohen. Kur një qytetar fillon të mendojë se, pavarësisht se për kë voton, asgjë nuk
ndryshon, kjo duhet të jetë arsye për reflektim për të gjithë politikën. Rreziku nuk është vetëm humbja e
mbështetjes për një parti. Rreziku është që qytetarët të humbin besimin se pjesëmarrja e tyre mund të
sjellë ndryshime.
Prandaj, mendoj se ka ardhur koha që politika të bëjë më shumë vetëkritikë. Nuk mjafton të
flitet për reforma dhe ndryshime; duhet të ketë rezultate të matshme, transparencë dhe përgjegjësi.
Qytetarët duhet ta dinë se kush i merr vendimet, pse merren ato vendime dhe kush mban përgjegjësi
kur rezultatet mungojnë.
Besimi nuk rikthehet me slogane të reja dhe as me premtime të bukura. Ai rikthehet kur
qytetarët shohin se institucionet funksionojnë, se drejtësia zbatohet dhe se interesi publik vendoset mbi
interesat personale apo partiake.
Në fund, qytetarët nuk presin politikanë të përsosur. Ata presin njerëz që i dëgjojnë, i respektojnë dhe e
kuptojnë se pushteti nuk është privilegj personal, por përgjegjësi ndaj atyre që ua kanë besuar votën.
Besimi nuk kërkohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Ai fitohet çdo ditë, përmes punës, drejtësisë dhe
përgjegjësisë. Sepse qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për premtime. Ata kanë nevojë të shohin se zëri i
tyre dëgjohet dhe se puna e institucioneve sjell ndryshime reale në jetën e tyre.