Kancelari austriak, Christian Stocker, nga Samiti i Procesit të Berlinit në Miloçer të Malit të Zi, deklaroi se çështjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ato nuk duhet ta ngadalësojnë këtë proces me rëndësi jashtëzakonisht të madhe gjeopolitike”, deklaroi Stocker në konferencën për media pas samitit.

Ai tha se deri në anëtarësimin e plotë, përmes integrimit gradual, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen hap pas hapi në tregun e përbashkët, në mënyrë që qytetarët t’i ndiejnë përfitimet e BE-së që tani.

“Është koha që edhe Ballkani Perëndimor më në fund të bëhet pjesë e zonës evropiane të roamingut. Nuk ka asnjë shpjegim se përse gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë në pozitë më të pafavorshme se Ukraina apo Moldavia”, theksoi Stocker.

Ai rikujtoi se më shumë se 500 mijë njerëz në Austri kanë rrënjë familjare në Ballkanin Perëndimor dhe vlerësoi se komunikimi mes tyre duhet të bëhet më i lehtë dhe më i lirë.

Stocker theksoi se Procesi i Berlinit është dëshmuar si një nismë e suksesshme dhe se për Austrinë përbën nder që të marrë sërish kryesimin e tij në vitin 2027.

“Prioritetet tona gjatë kryesimit do të jenë të rinjtë, pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal. Brezi i ardhshëm ka nevojë për një perspektivë të qartë evropiane. Prandaj dëshirojmë t’i lidhim të rinjtë përtej kufijve dhe t’i kapërcejmë ndarjet historike”, tha ai.

Kancelari austriak theksoi se vendet e rajonit duhet t’i krijojnë dhe t’i forcojnë lidhjet mes tyre, por edhe me BE-në, sepse, siç u shpreh ai, “njëra nuk mund të bëhet pa tjetrën”.

Ai shtoi se nuk mund të ketë të ardhme të përbashkët pa u përballur me të kaluarën dhe pa ndërtuar besim mes shoqërive. Për këtë, sipas tij, nevojiten guxim politik, durim dhe veprime konkrete.

“Austria po vendos objektiva ambicioze. Megjithatë, hapin vendimtar duhet ta bëni ju, këtu në rajon. Jemi të gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me të gjithë partnerët, në mënyrë që viti 2027 të jetë një vit i suksesshëm për Ballkanin Perëndimor. Llogarisim në mbështetjen tuaj”, përfundoi Stocker.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume