Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Iranin se po përpiqet të rrisë çmimet e naftës në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor. Në një reagim në rrjetin social Truth Social, Trump pretendoi se Teherani po organizon sulme të rreme për të ndikuar në tregun e naftës, ndërsa theksoi se aktualisht po kalon më shumë naftë sesa përpara sulmeve amerikano-izraelite.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, presidenti amerikan kritikoi edhe udhëheqjen iraniane për trajtimin e protestuesve, duke pretenduar se regjimi ka vrarë dhjetëra mijëra persona gjatë më pak se shtatë muajve. Në deklaratën e tij, Trump përmendi shifrën prej 75 mijë protestuesish, pa dhënë detaje të mëtejshme për këtë pretendim.
Në përfundim të mesazhit, kreu i Shtëpisë së Bardhë përsëriti qëndrimin e tij kundër pajisjes së Iranit me armë bërthamore, duke deklaruar se Teherani nuk do të lejohet kurrë t’i zotërojë ato.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ku çështjet e sigurisë rajonale, programit bërthamor iranian dhe furnizimit me naftë vijojnë të jenë në qendër të përplasjes mes dy vendeve.
Në postimin e tij, Trump shkruan:
“Irani po bën gjithçka që mundet për të rritur çmimin e naftës para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA. Ata madje shkojnë aq larg sa organizojnë sulme të rreme, vendosin mina dhe gjithçka tjetër sepse tani po kalon më shumë naftë përmes Ngushticës së Hormuzit sesa para se të fillonte konflikti. Ata vazhdojnë të vrasin protestues dhe këdo tjetër që u del në rrugë.
“Është vërtet një regjim satanik dhe mund të shpresoj vetëm që publiku amerikan dhe bota në përgjithësi ta kuptojnë sa SATANIK është!” 75,000 protestues kanë humbur jetën në më pak se shtatë muaj. Është tronditëse që bota, përfshirë “Demokratët Budallenj”, duket se nuk interesohet. Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore dhe nuk do të ketë kurrë armë bërthamore!