Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e mbajtur me rastin e 23 Tetorit – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, deklaroi se përgjegjësia e brezit të sotëm është të ndërtojë një shtet më të fortë dhe një të ardhme më të mirë për gjeneratat e reja, duke theksuar se politika duhet të jetë e orientuar drejt së ardhmes informon Tetovasot.

Ai tha se 23 Tetori është një ditë që kujton sakrificën e revolucionarëve maqedonas për lirinë dhe shtetin, ndërsa theksoi se brezat e sotëm kanë detyrimin ta ruajnë lirinë, dinjitetin dhe identitetin kombëtar.

“Detyra ime si kryeministër nuk është të merrem me eshtrat që i përkasin së kaluarës, por të siguroj një të ardhme që u përket fëmijëve tanë. Duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës dhe të ndërtojmë një shtet më të mirë,” deklaroi Mickoski.

Duke folur për rrugën evropiane të vendit, ai theksoi se Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj integrimit në Bashkimin Evropian, por vlerësoi se procesi ka qenë i gjatë dhe i shoqëruar me kushte, konteste dypalëshe dhe, sipas tij, trajtim të padrejtë.

Mickoski tha se vendi duhet të vazhdojë me durim, mençuri dhe unitet, duke shtuar se nuk do të bjerë pre e provokimeve politike apo presioneve.

Në fjalimin e tij ai u ndal edhe te sfidat e brendshme, duke përmendur investimet në infrastrukturë, arsim dhe projekte komunale, si dhe angazhimin e Qeverisë për përmirësimin e standardit të jetesës dhe forcimin e institucioneve.

Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë unitetin dhe të mos bien pre e provokimeve, duke theksuar se përgjegjësia më e madhe e institucioneve është të ndërtojnë një shtet ku të rinjtë do të kenë shpresë, qytetarët dinjitet dhe secili do të ketë mundësi të ndërtojë të ardhmen e tij në vend.

Në fund të fjalimit, Mickoski uroi qytetarët me rastin e 23 Tetorit – Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, duke bërë thirrje për punë, përgjegjësi dhe përkushtim në ndërtimin e një shteti më të drejtë dhe më të zhvilluar.