Të premten pasdite, një helikopter i ambulancës ajrore ateroi në fushën stërvitore të Bayern Munichut për Vincent Kompanyn, i cili u dërgua me urgjencë në spital, raporton “BILD”.
Kompany nuk ishte ndier mirë gjatë gjithë javës.
Një infeksion viral e goditi fundjavën e kaluar, duke e detyruar të qëndronte i shtrirë në dhomën e trajnerit gjatë dhe pas ndeshjes kundër RB Leipzigut, të cilën Bayerni e fitoi me rezultatin 6-1.
Pasi mungoi në seancat stërvitore të Bayernit të hënën dhe të martën, ai ia la ndihmësit të tij drejtimin e konferencës për shtyp para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, e cila përfundoi 2-2.
Sipas “BILD”, infeksioni viral i ka shkaktuar probleme me “indet e vjetra të mbresave”, duke bërë që Kompany, i cili gjatë karrierës ka luajtur edhe për Manchester Cityn, të ketë vështirësi në lëvizje.
Trajneri belg kishte deklaruar në konferencën për shtyp pas ndeshjes kundër Arsenalit: “Si trajner, gjithmonë dëshiron të bësh gjithçka dhe të arrish gjithçka. Javën e kaluar u preka nga një virus mjaft i rëndë dhe, natyrisht, nuk e dëgjova trupin tim. Në një moment të caktuar, trupi im më tha: Ndal tani!”.
Arsyeja pse Kompany u dërgua me ambulancë në spital të premten ende nuk është bërë e ditur.
Sipas “BILD”, ekzistojnë “shqetësime serioze” për gjendjen e trajnerit të Bayernit.