Të shtunën, nga ora 14:00, Shkëndija përballet me Vardarin në stadiumin e qytetit në Gostivar, në kuadër të xhiros së 11-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Para këtij dueli, drejtori sportiv i kuqezinjve, Erhan Selimi, u bën thirrje tifozëve për mbështetje të fuqishme, anim korrekt dhe fair-play, në mënyrë që skuadra të ketë përkrahjen e lojtarit të 12-të në rrugën drejt fitores dhe tri pikëve.
“Publiku ynë në përgjithësi dhe në veçanti “Ballistët” tradicionalisht janë dëshmuar si një mbështetje e madhe për skuadrën dhe nuk kam dyshim se edhe nesër do të jetë kështu. Apeloj që të gjithë të përmbahemi nga çdo provokim dhe ta ruajmë frymën sportive. Kjo duhet të jetë një festë futbolli, ku mbështesim skuadrën, besojmë te ekipi dhe së bashku synojmë fitoren. Jam i bindur se mund të gëzohemi për triumfin në fushë, por njëkohësisht të përcjellim edhe mesazhin e kulturës së lartë sportive që e karakterizon Shkëndijën dhe publikun tonë”, apelon drejtori sportiv Erhan Selimi.