Kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, ka konfirmuar se do të kandidojë për drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke vënë në pikëpyetje edhe vazhdimin e Lumir Abdixhikut në krye të partisë. I pyetur nga gazetarët nëse do të garojë për udhëheqjen e LDK-së, Rama u përgjigj duke i pyetur nëse kanë dëgjuar që do të jetë kandidat për kryetar.
“A e keni dëgjuar që kam thënë se do të jem kandidat për kryetar?”, tha ai.
Ai komentoi edhe pozitën e kryetarit aktual të partisë, Lumir Abdixhikut, duke vlerësuar se ky i fundit duhet të largohet nga drejtimi i LDK-së.
“Mendoj se do të kishte bërë mirë të jepte dorëheqje, ashtu duhet të bëjë”, deklaroi Rama.
Lumir Abdixhiku mori drejtimin e LDK-së në vitin 2021 dhe u rizgjodh në vitin 2023. Në janar të vitit 2026 pasi kishte ofruar dorëheqjen, delegatët e Kuvendit të partisë votuan që ai të vazhdonte të qëndronte në këtë detyrë. Ndërkohë, Përparim Rama ka fituar dy palë zgjedhje lokale në Prishtinë, në vitet 2021 dhe 2025, nën siglën e LDK-së.