Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin një sulm ushtarak ndaj Iranit që këtë fundjavë, deklaroi diplomati amerikan Tom Barrack, duke ngritur pikëpyetje mbi hapat e ardhshëm të Uashingtonit në përballjen me Teheranin. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump u distancua nga ky skenar, duke thënë se nuk kishte dijeni për një mundësi të tillë.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Barrack, ambasador i SHBA-së në Turqi dhe i dërguar special për Sirinë, theksoi se Trump mbetet i hapur për një marrëveshje me Iranin dhe se negociatat mes palëve kanë vijuar prej muajsh.
Deklaratat vijnë në një moment kur bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit ndodhen në ngërç, pas muajsh përplasjesh ushtarake që përfshinë SHBA-në, Izraelin dhe Iranin.
Trump ka paralajmëruar se do të marrë një vendim lidhur me situatën, por pa përcaktuar qartë hapat e ardhshëm. Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Teheranit, duke argumentuar se eliminimi i kërcënimit iranian kërkon ndryshime të thella në regjimin e vendit. Deri tani, nuk ka një konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë për ndonjë operacion të mundshëm ushtarak gjatë fundjavës.