Shkup, 24 tetor – Mesazhet për lirinë, demokracinë dhe unitetin evropian ishin në qendër të ceremonive për shënimin e 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956, të mbajtura në Budapest, ku mori pjesë edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, krahas përfaqësuesve të lartë të institucioneve evropiane dhe udhëheqësve ndërkombëtarë.

Në kuadër të programit ndërkombëtar përkujtimor, presidentja ndoqi seancën solemne të Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, ku mbajtën fjalime kryetarja e Parlamentit hungarez, Agnesh Forsthofer, presidenti hungarez Andresh Baka, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe ministri i Financave i Norvegjisë, Jens Stoltenberg.

Në fjalimin e tij, presidenti hungarez Baka rikujtoi idealet dhe rëndësinë historike të revolucionit të vitit 1956, duke theksuar se, shtatë dekada më vonë, demokracia dhe solidariteti evropian përballen sërish me sfida të mëdha.

Ai bëri thirrje për respekt të ndërsjellë, përgjegjësi dhe mirëkuptim ndërmjet popujve evropianë.

Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, vunë theksin te rëndësia e unitetit evropian, duke përshëndetur përparimin demokratik dhe reformat në Hungari. Ata theksuan gjithashtu përfitimet që vendi ka siguruar gjatë 22 viteve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Të pranishmit nderuan me një minutë heshtje viktimat e Revolucionit Hungarez, ndërsa gjatë seancës solemne u shfaq edhe një film dokumentar kushtuar kësaj ngjarjeje historike.

Për presidenten Siljanovska-Davkova, Revolucioni Hungarez mbetet simbol i përhershëm i guximit, dashurisë për lirinë dhe dinjitetit të një populli.

Ajo vlerësoi se pjesëmarrja në këtë përvjetor përbën një nder të veçantë, duke pasur parasysh rëndësinë që revolucioni i vitit 1956 ka jo vetëm për historinë hungareze, por edhe për zhvillimet demokratike në Evropë. “Është kënaqësi të dëgjosh përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian kur thonë se Revolucioni Hungarez ka dhënë një kontribut të madh në ndërtimin e demokracisë dhe se ia vlen të luftojmë të gjithë për Evropën, si shtëpinë tonë të përbashkët”, deklaroi Siljanovska-Davkova.

Tubimi qendror përkujtimor u mbajt në sheshin “Lajosh Koshut” në Budapest.

Në kuadër të vizitës, presidentja e Maqedonisë së Veriut mori pjesë edhe në ceremoninë gala në Operën Shtetërore Hungareze, si dhe në pritjen solemne në Muzeun e Arteve të Bukura, organizuar nga kryeministri hungarez Peter Magyar.

Përkujtimi i 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez u shoqërua me mesazhe për ruajtjen e vlerave demokratike, solidaritetin dhe përgjegjësinë e përbashkët për të ardhmen e Evropës.