Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, në prag të zgjedhjeve parlamentare që mbahen nesër në Serbi, më 25 tetor, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të dalin masivisht në votime.

Përmes një postimi, Azizi ka theksuar rëndësinë e bashkimit të subjekteve politike shqiptare në një koalicion të përbashkët, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të shqiptarëve të Luginës.

Ai ka përmendur sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këtë rajon, përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, nënpërfaqësimin institucional dhe pengesat në përdorimin e gjuhës shqipe.

Azizi ka theksuar se pjesëmarrja në zgjedhje është një mundësi për të kërkuar barazi, llogaridhënie dhe përfaqësim të denjë, duke nënvizuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk duhet të jenë indiferentë ndaj fatit të bashkëkombësve të tyre.

“Lugina nuk kërkon favore. Kërkon dinjitet, barazi, zhvillim dhe të drejtën për të jetuar e për të ndërtuar të ardhmen në tokën e vet”, ka shkruar Azizi.

Ai e ka përmbyllur mesazhin me thirrjen drejtuar shqiptarëve të Luginës: “Dilni, votoni dhe bëjeni zërin tuaj të dëgjohet!”

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume