Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, ka kujtuar tre eprorët e Zonës Operative të Nerodimës, Naim Bekën, Agim Matoshin dhe Avni Shehun, duke ndarë kujtime nga lufta dhe sakrifica e tyre për lirinë e Kosovës.
Në një postim të bazuar në dokumentarin për dëshmorin Naim Beka, Buja ka rrëfyer për bashkëluftëtarin me të cilin kishte ndarë ditë të vështira të luftës, duke kujtuar edhe fjalët e takimit të tyre të fundit: “S’kam çka lypi pa ty në ushtri!”. Ai ka shprehur dhimbjen për humbjen e tre eprorëve, duke përfunduar me thirrjen: “Lavdi e përjetshme Naim Bekës, Agim Matoshit dhe Avni Shehut!”.
Postimi i plotë:
Sot u përkula me zemrën e rënduar nga dhimbja dhe me kujtimet që më kthyen në ditët kur luftonim krah për krah për lirinë e Kosovës, në kujtim të tre bashkëluftëtarëve, tre komandantëve, tre eprorëve të Zonës Operative të Nerodimës, tre heronjve të Kosovës: Naim Bekës, Agim Matoshit dhe Avni Shehut.
Ka dhimbje që koha nuk i shëron kurrë. Ka fytyra që nuk i harron, zëra që vazhdon t’i dëgjosh në kujtesë dhe fjalë që, edhe pas kaq vitesh, të therin në shpirt sikur t’i kishe dëgjuar dje.
Naim Bekën nuk e kisha vetëm bashkëluftëtar. E kisha krah që nga fillet e organizimit të luftës çlirimtare. Bashkë ndamë ditë të vështira, rreziqe, beteja e sakrifica. E njihja guximin e tij, vendosmërinë, shpirtin organizativ dhe gatishmërinë për të qenë gjithmonë aty ku e kërkonte atdheu.
Naim Beka ishte njeri i aksionit. Ishte me Tonin në aksionet e njësitit gueril, me Mortajën në aksionet e njësitit special, në vijat e frontit me Ahmet Kaqikun dhe në çdo betejë krah për krah me Agimin.
Sa herë i kujtoj ato ditë, më dalin para syve fytyrat e shokëve me të cilët ndamë të njëjtin ideal, por që fati nuk na lejoi ta përjetonim së bashku gjithçka për të cilën luftuam.
Pas luftës, duke vlerësuar angazhimin, organizimin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm, e emërova Komandant Batalioni. E meritonte atë detyrë, sepse e kishte dëshmuar veten në ditët kur atdheu kishte më së shumti nevojë për burra të tillë.
Por, sa i rëndë është fati, kur njeriu që e pret ta vazhdojë rrugën e përbashkët, të mbetet vetëm në kujtime!
Takimi ynë i fundit nuk më është fshirë kurrë nga kujtesa. Naimi më tha se do të më priste derisa të kthehesha nga Franca për ta marrë detyrën, sepse nuk donte të shërbente pa mua.
„S’kam çka lypi pa ty në ushtri!“
Kaq më tha Naim Beka.
Kush do ta mendonte se këto fjalë, të thëna nga zemra e një bashkëluftëtari, një ditë do të bëheshin kujtim që dhemb kaq shumë? Kush do ta mendonte se nuk do të na jepej më mundësia të takoheshim, të flisnim për ushtrinë, për luftën dhe për ditët që i kishim kaluar bashkë?
Naim, shok i luftës, unë u ktheva, por ti nuk ishe më aty për të më pritur!
Dhe kjo është njëra prej atyre dhimbjeve që fjalët nuk arrijnë ta përshkruajnë.
Rënia e tre eprorëve tanë më goditi rëndë. Ishte një plagë e thellë, një humbje që nuk mund të matet me fjalë.
Në pamundësi që personalisht të organizoja ceremoninë e varrimit, e ngarkova Shefin e Shtabit, Hysen Shahinin, me organizimin e ceremonisë dhe e urdhërova ta kryente atë, pavarësisht pasojave.
Naim, Agim dhe Avni, do t’ju kujtoj gjithmonë ashtu siç ju njoha: trima, besnikë, të vendosur dhe të gatshëm për çdo sakrificë për lirinë e Kosovës.
Lavdi e përjetshme Naim Bekës, Agim Matoshit dhe Avni Shehut!
Lavdi të gjithë heronjve të rënë për lirinë e Kosovës!