Një sulm me thika është regjistruar jashtë Ambasadës së Izraelit në Beograd, ku një person i paidentifikuar sulmoi një efektiv të Xhandarmërisë serbe që ruante objektin diplomatik. Sulmuesi u qëllua për vdekje nga polici pak pas mesnatës, ndërsa autoritetet serbe e kanë cilësuar incidentin si një sulm të dyshuar terrorist.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi se sulmuesi, i cili sipas tij ishte i mitur dhe ende i paidentifikuar, iu afrua efektivit duke bërtitur “Allahu Ekber” dhe e sulmoi me dy thika.

Sipas Daçiçit, efektivi reagoi në vetëmbrojtje, duke vrarë sulmuesin. Polici mbeti i plagosur lehtë gjatë incidentit.

Pas ngjarjes, autoritetet serbe kanë ngritur nivelin e kërcënimit terrorist në shkallën më të lartë dhe kanë shtuar praninë e forcave të policisë në pika kyçe, si masë parandaluese për garantimin e sigurisë.

Daçiç bëri të ditur gjithashtu se agjencitë serbe të sigurisë e kishin mbajtur nën vëzhgim sulmuesin, të cilin e përshkroi si mbështetës të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS). Sipas ministrit, personi kishte publikuar në llogarinë e tij në Instagram një flamur të zi në mbështetje të këtij grupi.

Deri më tani, Ministria e Jashtme nuk ka bërë një koment zyrtar për ngjarjen.

Incidenti rikthen vëmendjen te siguria e përfaqësive diplomatike izraelite në Serbi. Në qershor të vitit 2024, një tjetër sulmues plagosi me hark një oficer policie që ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd. Edhe në atë rast, autori u qëllua për vdekje nga një efektiv sigurie.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume