Universiteti i Tetovës pjesë e konferencës shkencore për 300-vjetorin e shpërnguljes së arbëneshëve në Zarë
Dekania e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Emine Shabani dhe prodekania
për shkencë, Prof. Dr. Hana Dardhishta, nga kjo njësi akademike, më 20 tetor 2026 morën pjesë në
konferencën shkencore kushtuar 300-vjetorit të shpërnguljes së arbëreshëve në Zarë të Kroacisë, një
ngjarje me rëndësi të veçantë historike, gjuhësore dhe kulturore.
Konferenca, me temë: “Arbëneshët – identiteti, kultura dhe kontributi i tyre shoqëror”, shërbeu si
një veprimtari për ta kujtuar historinë dhe trashëgiminë e arbëneshëve të Zarës, si dhe për ta
theksuar rolin e tyre në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës, traditave dhe identitetit shqiptar ndër
breza.
Me këtë rast, dekania e Fakultetit Filologjik e vlerësoi pjesëmarrjen në këtë konferencë si një
përvojë të veçantë shkencore, kulturore dhe emocionale. Ajo shprehu mirënjohjen e saj për
organizatorët, duke vlerësuar përkushtimin, punën e palodhshme, organizimin dinjitoz dhe
mikpritjen e ngrohtë.
Sipas saj, ky përvjetor historik përbën një mundësi të çmuar për të nderuar të kaluarën, për të
vlerësuar trashëgiminë kulturore dhe për të forcuar lidhjet shkencore e miqësore ndërmjet
studiuesve dhe pjesëmarrësve.
Ajo theksoi veçanërisht qëndresën e arbëneshëve, të cilët, për tri shekuj, kanë arritur të ruajnë
gjuhën, traditat dhe identitetin e tyre shqiptar, duke kontribuuar njëkohësisht në pasurimin e
mozaikut kulturor të Zarës dhe të Kroacisë.
Në këtë kontekst, dekania nënvizoi rëndësinë e gjuhës si bartëse të kujtesës kolektive dhe si dëshmi
e gjallë e identitetit kombëtar. Ajo vlerësoi se arbëneshët e Zarës përbëjnë një urë të çmuar lidhëse
ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit kroat, ndërsa trashëgimia e tyre historike dhe kulturore
meriton studim të vazhdueshëm, vlerësim institucional dhe përcjellje te brezat e ardhshëm.
Pjesëmarrja e përfaqësueseve të Universitetit të Tetovës në këtë konferencë konfirmon rëndësinë që
i kushtohet studimit dhe promovimit të gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare, si dhe forcimit të
bashkëpunimit akademik ndërmjet institucioneve dhe studiuesve shqiptarë e kroatë.







