“E dua djalin, qoftë të vdekur, qoftë të gjallë!” – Me këto fjalë prekëse, Sedat Shabani nga Gostivari kërkon të birin, Shemo Shabanin, 27-vjeçar, i cili është zhdukur prej 15 ditësh. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë për vendndodhjen e tij, ndërsa familja vazhdon ta kërkojë me ankth.

Shemo Shabani u zhduk pasi kishte qenë në shtëpinë e shokut të tij, Feritit. Sipas familjes, ditën e zhdukjes ai kishte qenë LIVE në TikTok. Që nga ajo ditë, familjarët nuk kanë marrë asnjë informacion për fatin e tij dhe nuk e dinë nëse është gjallë apo ka humbur jetën.

Babai i 27-vjeçarit kërkon përgjigje dhe bën thirrje që të zbardhet se çfarë ka ndodhur me të birin.

“Që 15 ditë nuk kemi asnjë gjurmë, as informacion nga policia. Nuk e dimë a është i gjallë apo i vdekur. Djali im ishte te Feriti dhe nga atje më nuk është”, shprehet Sedat Shabani.

Babai apelon që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e djalit të tij të ndihmojë në zbardhjen e rastit, ndërsa vazhdon ta kërkojë me shpresën se do të mësojë të vërtetën për fatin e tij.

Policia: Kërkimet në lumin Vardar dhe hetimet vazhdojnë

Sipas njoftimit të policisë, zhdukja e të riut është raportuar nga motra e tij më 16 tetor 2026, rreth orës 01:30 pas mesnate.

Gjatë kërkimeve, niveli i ujit në lumin Vardar është ulur dy herë për të kontrolluar nëse 27-vjeçari mund të ndodhej në lumë. Në kërkime janë angazhuar edhe zhytës, por deri më tani ai nuk është gjetur.

Sipas informacioneve jpzyrtare që ka siguruar portali TetovaSot, policia e Gostivarit po heton disa pista për zbardhjen e zhdukjes së Shemo Shabanit. Në kuadër të hetimeve janë intervistuar edhe persona të tjerë që mund të kenë informacione të rëndësishme për rastin.

Familja e Shemo Shabanit thotë se nuk do të ndalet së kërkuari derisa të mësojë të vërtetën për fatin e tij. Ndërkohë, policia dhe institucionet përkatëse vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e 27-vjeçarit nga Gostivari./TS/