Pretendimet e Venko Filipçes në konferencën e sotme për shtyp se shteti po heq dorë
nga gazifikimi dhe nga drejtimet e reja të furnizimit janë të pasakta. Interkonektori me
Greqinë po ndërtohet me financim të siguruar, po përgatitet lidhja me Serbinë, ndërsa
rrjeti i gazsjellësve vendas po bëhet gati për t’u vënë në funksion.
Filipçe duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë: si mund të heqë dorë shteti nga
gazifikimi, kur gazsjellësi me Greqinë po ndërtohet me grant investimi dhe kredi nga
Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim?
Sipas të dhënave të projektit të 19 tetorit, në segmentin maqedonas janë furnizuar 64
kilometra tuba, janë salduar 43 kilometra dhe 18 kilometra janë vendosur në kanal.
Shpronësimi është realizuar në masën 97 për qind. Këto janë punime konkrete në
terren, jo deklarata politike.
Paralelisht po punohet për përcaktimin e trasesë dhe hartimin e projektit të lidhjes me
Serbinë. Interkonektorët e rinj krijojnë kushte për më shumë drejtime dhe burime
furnizimi. Prandaj, lidhja e harmonizimeve buxhetore me pretendimin për një orientim
drejt varësisë vetëm nga gazi rus e lë jashtë pikërisht atë që po bëhet për diversifikimin.
Ministria sqaroi që në mëngjes se ndërtimi i gazsjellësve dhe blerja e planifikuar dhe magazinimi
i gazit natyror për rezerva strategjike janë procese të ndara, me kushte të ndryshme financiare
dhe teknike. Sigurimi i rezervave varet edhe nga hapësira e disponueshme për magazinim dhe
kapaciteti transportues. Ndryshimi buxhetor, në vetvete, nuk dëshmon se projektet
infrastrukturore po braktisen.
Nga kryetari i LSDM-së presim kritikë të përgjegjshme, të bazuar në informacione të plota.
Paraqitja e shifrave pa shpjeguar destinimin e mjeteve, financimin e veçantë dhe përparimin e
projekteve e çorienton publikun. Përllogaritjet politike nuk duhet të jenë më të rëndësishme se
informimi i saktë i qytetarëve.
Gazifikimi po vazhdon. Ministria mbetet e hapur për pyetje konkrete dhe verifikimin e
dokumenteve dhe rezultateve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume