Rreth dy tonë mish dhe produkte mishore të pasigurta janë kapur gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese në Radovish, ndërsa në fshatin Pepelishtë të Negotinës është zbuluar prodhim ilegal i produkteve të thata mishore që shiteshin përmes rrjeteve sociale, njoftoi Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV).

Inspektorët dje kryen kontrolle në kasaporet dhe objektet për përgatitjen dhe përpunimin e mishit në Radovish, ku zbuluan rreth dy tonë mish të freskët dhe të ngrirë të pasigurt, si dhe përgatitje mishore, përcjell Pa Censurë.

Sipas AUV-së, sasitë e kapura sot duhet të shkatërrohen në deponinë “Drisla” në Shkup.

Në Pepelishtë, inspektorët zbuluan një person fizik që pa aprovim prodhonte produkte mishore të tymosura dhe çvarqe, të cilat më pas i shiste përmes rrjeteve sociale.

Nga prodhimi ilegal u morën edhe 50 kilogramë produkte shtesë, mes të cilave peçenicë, kulen dhe sallamë e tymosur.

Produktet nuk kishin deklarata për prejardhjen dhe ruheshin e përpunoheshin në kushte të papërshtatshme dhe johigjienike.

AUV paralajmëron se ky lloj prodhimi dhe ruajtjeje përbën rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.

Shërbimet inspektuese njoftojnë se do të vazhdojnë kontrollet e jashtëzakonshme për të zbuluar prodhimin ilegal dhe për të parandaluar shitjen e ushqimit të pasigurt.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume