Mijëra bashkëqytetarë tanë duhet të kenë mundësinë ta zgjidhin njërën nga çështjet më të rëndësishme të jetës: sigurimin e një vendi të qëndrueshëm pune dhe krijimin e një të ardhmeje më të sigurt për familjet e tyre.
Për këtë angazhohemi përmes propozim-ligjit për transformimin e angazhimeve të përkohshme në marrëdhënie të rregullt pune, në paraqitjen e të cilit marrin pjesë edhe deputetët e VLEN-it.
Për shumë vite, njerëzit kanë punuar me kontrata të përkohshme dhe në pasiguri të vazhdueshme. Ata i kanë kryer detyrat e tyre çdo ditë, kanë kontribuar në funksionimin e institucioneve, por statusi i tyre i punës ka mbetur i pazgjidhur.
Pas secilës kontratë të tillë qëndron një familje që dëshiron të dijë nëse mund ta planifikojë me siguri muajin e ardhshëm, vitin e ardhshëm dhe të ardhmen e fëmijëve të saj.
Ky është një problem i trashëguar ndër vite. Detyrimi ynë është të punojmë për zgjidhjen e tij, në vend që t’ua lëmë si barrë gjeneratave të ardhshme të politikanëve.
Prandaj, kemi dorëzuar propozimin ligjor që parasheh kalimin në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar për personat që i plotësojnë kushtet ligjore në institucionet publike të përfshira nga kjo zgjidhje.
Propozimi përfshin kategori të ndryshme të angazhimit: kontrata me afat të caktuar, kontrata në vepër, kontrata autoriale, angazhime përmes agjencive dhe forma të tjera kontraktuale për kryerjen e punës.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, institucionet do të kenë afat prej 90 ditësh për lidhjen e kontratave përkatëse ose nxjerrjen e vendimeve për punësim.
Gjithashtu, parashihet mbrojtja nga ndërprerja e kontratave gjatë zhvillimit të procedurës, përveç rasteve të shkeljes së detyrimeve kontraktuale. Qëllimi është që punonjësit të mos mbeten pa siguri në periudhën kur realizohet transformimi i statusit të tyre.
Vendi i punës nuk është privilegj partiak. Paga nuk është shpërblim për bindje politike. Askush nuk duhet ta përdorë ekzistencën e një familjeje për të kontrolluar lirinë e një individi.
Në të kaluarën, partitë politike e kanë mbajtur këtë kategori të punonjësve në pasiguri dhe e kanë përdorur statusin e tyre për interesa politike. VLEN-i nuk do ta vazhdojë këtë praktikë.
Askush nuk duhet të jetë i varur nga vullneti i partive. Duhet të vlejnë ligji, kushtet e punës dhe trajtimi i barabartë për të gjithë.
Ashtu siç kemi punuar për zgjidhjen e statusit të punonjësve në institucionet shëndetësore, po vazhdojmë të angazhohemi edhe për problemet e tjera të trashëguara.
Angazhimi ynë nuk përfundon me dorëzimin e një dokumenti. Do të punojmë për miratimin e propozimit dhe zbatimin e tij në praktikë.
I ftojmë deputetët që ta shqyrtojnë këtë propozim me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive. Për një çështje që prek sigurinë e mijëra familjeve, nevojiten zgjidhje ligjore dhe përgjegjësi ndaj njerëzve.
Politika e VLEN-it synon zgjidhjen e problemeve. Suksesi i saj duhet të ndihet në sigurinë e familjeve, dinjitetin e punonjësve dhe lirinë e çdo qytetari.