Mickoski: I mbrojmë interesat shtetërore dhe përballemi mjaft me sukses me krizën energjetike, por e gjithë kjo duhet të jetë më intensive
Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në emisionin „Vetëm intervistë“ në televizionin Kanal 5, theksoi se kjo Qeveri, që nga zgjedhja e saj, jo vetëm që i mbron interesat shtetërore, por edhe përballet mjaft me sukses me krizën energjetike gjatë kësaj periudhe. Ai shtoi se e gjithë kjo duhet të jetë më intensive, ndonëse është fakt se tani jetohet më mirë sesa para 3 ose 4 vjetësh.
„Ne jemi në vitin e tretë të qeverisjes, kanë kaluar rreth 28 muaj që nga zgjedhja jonë si Qeveri. Nuk ekziston asnjë aferë që lidhet me këtë Qeveri. I mbrojmë interesat shtetërore, po ia dalim mjaft mirë në kushtet e një Lufte të Tretë Botërore të heshtur dhe të padukshme, si rezultat i krizës energjetike dhe krizës në tregjet financiare, e cila shkaktoi edhe trazira sociale në një pjesë të madhe të metropoleve evropiane“, deklaroi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se kjo Qeveri nuk sillet me arrogancë, por vepron me mjaft disiplinë, ndryshe nga ajo që ndodhte në të kaluarën. Ai shtoi se Qeveria punon vazhdimisht që vendi të jetë më i sigurt për qytetarët.
„Vlerësojmë se, pas gjithë atij kriminaliteti, kur fëmijët kishin frikë të dilnin në rrugët e Shkupit, sepse disa banda kishin pushtuar kafenetë dhe i keqtrajtonin në këtë mënyrë, tani ata mund të lëvizin lirshëm si në qendër të qytetit, ashtu edhe në çdo vend të Shkupit, por edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë. Kemi realizuar shumë aksione me të cilat i kemi dhënë fund kriminalitetit në shumë fusha. A është kjo e mjaftueshme? Jo. A duhet që e gjithë kjo të jetë edhe më e fuqishme? Po, pajtohem se duhet të jetë. Por, a është më mirë sesa para 3 ose 4 vjetësh, kur lloj-lloj mafiesh dhe bandash, të emërtuara sipas disa vendbanimeve rurale në rrethinën e Shkupit, sundonin nëpër Shkup? Është shumë më mirë“, theksoi kryeministri Mickoski.