Në kuadër të nismës “Psikologjia në veprim – me dije dhe përgjegjësi, pranë jush”, më 28 tetor
2026 u realizua trajnimi i parë njëditor për linjën telefonike për fëmijë “Alo Bushavko”. Aktiviteti u
organizua në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Fakultetit Filozofik të
Universitetit të Tetovës dhe Ambasadës së Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi”.
Në këtë trajnim morën pjesë studentë të vitit të dytë, të tretë dhe të katërt të programit studimor të
Psikologjisë, të cilët patën mundësinë të informohen me funksionimin, parimet dhe përgjegjësitë që
ndërlidhen me punën e linjës telefonike për fëmijë. Përmes këtij aktiviteti, studentët u njohën me
rëndësinë e komunikimit të përgjegjshëm dhe të ofrimit të mbështetjes së përshtatshme për fëmijët,
duke vënë në qendër të vëmendjes të drejtat, nevojat dhe interesin më të mirë të tyre.
Trajnimi u udhëhoq nga Jordanka Cerepnalkova Trajkoska, trajnere e Ambasadës së Parë të
Fëmijëve në Botë “Megjashi”, e cila trajtoi aspekte të rëndësishme të zhvillimit të kompetencave
profesionale dhe praktike në komunikimin me fëmijët. Vëmendje e veçantë iu kushtua dëgjimit
aktiv, qasjes së ndjeshme dhe të përgjegjshme, si dhe orientimit drejt mekanizmave përkatës të
mbështetjes dhe mbrojtjes së fëmijëve.
Koordinimi i bashkëpunimit nga ana e Fakultetit Filozofik realizohet nga ekipi koordinues, i
përbërë nga Prof. Dr. Sheruze Osmani – Ballazhi, Prof. Dr. Sara Sadiki dhe Prof. Dr. Luljeta
Bexheti, të cilat angazhohen në zhvillimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, me synim
forcimin e ndërlidhjes ndërmjet përgatitjes akademike dhe përvojës praktike të studentëve.
Realizimi i këtij trajnimi shënon një hap të rëndësishëm në konkretizimin e nismës “Psikologjia në
veprim” dhe krijon mundësi që studentët t'i zbatojnë njohuritë e fituara gjatë studimeve në
kontekste reale profesionale dhe shoqërore. Njëkohësisht, ky aktivitet dëshmon rëndësinë e
bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave që veprojnë në fushën e
mbrojtjes së fëmijëve, në funksion të promovimit të të drejtave dhe mirëqenies së tyre.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume