Në shënimin e 80-vjetorit të veprimtarisë së bankës qendrore, gjuha shqipe u la jashtë. Jashtë ftesave fillestare, jashtë programit, jashtë ekraneve, jashtë roll-up-ave dhe banerëve. Një manifestim që duhej të dëshmonte pjekuri institucionale dhe respekt për të gjithë qytetarët, përfundoi duke treguar një kthim të rëndë prapa.

Reagoj si ish-viceguvernator i Bankës Popullore, detyrë që e kam ushtruar deri në shtator të këtij viti, dhe si dikush që e njeh këtë institucion, kapacitetet e tij dhe standardet që ka arritur. Pikërisht për këtë, nuk mund ta kaloj në heshtje atë që ndodhi.

Në vitin 2022, gjatë shënimit të 30-vjetorit të pavarësisë monetare, i gjithë manifestimi u organizua duke respektuar gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe. Çdo fjalim shoqërohej me përkthim të projektuar në ekran. Kur flitej maqedonisht, përkthimi paraqitej shqip dhe anglisht; kur flitej shqip, sigurohej përkthimi maqedonisht dhe anglisht. Materialet promovuese ishin në dy gjuhë. Në programin artistik u interpretua edhe “Baresha”, duke i dhënë vend të merituar këngës shqipe.

Gjithçka u realizua me profesionalizëm dhe dinjitet. Banka nuk humbi asgjë nga prania e shqipes. Autoriteti i saj mbeti i paprekur. Pavarësia e saj mbeti e paprekur. Manifestimi fitoi në përfaqësim, në respekt dhe në cilësi.

Katër vjet më vonë, ky standard u braktis.

Rasti i logos e bën këtë përjashtim edhe më të rëndë. Në fillim, logoja e 80-vjetorit u hartua në tri gjuhë. Pra, versioni në shqip ekzistonte. Ishte përgatitur dhe mund të përdorej. Megjithatë, në materialet e manifestimit ai nuk u fut askund: as në ftesat fillestare, as në roll-up-a, as në banerë.

Shqipja ishte pjesë e përgatitjes fillestare, por mungoi në paraqitjen publike të jubileut. Ky është një fakt që kërkon shpjegim të drejtpërdrejtë. Nuk mjafton të thuhet se logoja ekzistonte edhe shqip, kur publikut nuk iu paraqit në atë gjuhë.

Edhe ftesat për përfaqësuesit shqiptarë u dërguan vetëm maqedonisht. Vetëm pas reagimit, rikujtimi i ftesës u dërgua në dy gjuhë. Kjo tregon se përdorimi i shqipes ishte i mundur, por duhej dikush të reagonte që organizatorët ta përfshinin.

Është e papranueshme që në vitin 2026 të duhet reagim për një ftesë dygjuhëshe. Është edhe më e papranueshme që korrigjimi të ndalet te rikujtimi i ftesës, ndërsa vetë manifestimi të vazhdojë pa asnjë fjalë shqip.

Mes të pranishmëve kishte përfaqësues të lartë shqiptarë të jetës shtetërore, akademike dhe profesionale: kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ish-ministrin e Financave, Fatmir Besimi, rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore Sadudin Ibraimi, akademikun Abdylmenaf Bexheti, si dhe tfunksionar tjerë shqiptarë. Organizatorët e dinin kë kishin ftuar. Megjithatë, nuk e panë të nevojshme që gjuha shqipe të kishte qoftë edhe praninë më të vogël në manifestim.

Ky trajtim është nënçmues. Ai prek përfaqësuesit e pranishëm, të punësuarit shqiptarë dhe qytetarët që kanë të drejtë ta ndiejnë Bankën Popullore si institucionin e tyre.

Një ulëse në sallë nuk e zëvendëson respektin institucional. Një ftesë nuk e mbulon përjashtimin gjuhësor. Prania e shqiptarëve në fotografitë e ceremonisë nuk mund të shërbejë si dëshmi për përfshirje, kur gjuha e tyre mungon në të gjithë organizimin.

Banka Popullore ka njerëz, mjete, përvojë dhe kapacitete për të organizuar një manifestim me përkthime dhe materiale në shqip. Këtë e ka dëshmuar prej vitesh, duke vendosur standarde që shumë institucione të tjera ende nuk i kanë arritur.

Në një kohë kur pothuajse asnjë institucion nuk siguronte përkthime të rregullta në shqip, Banka përgatiste materiale në dy gjuhë. Krijoi versionin shqip të faqes së saj të internetit, ndërkohë që edhe sot ka institucione që nuk e ofrojnë këtë mundësi. Materialet për edukimin financiar të qytetarëve përgatiteshin në maqedonisht dhe shqip, duke ua afruar informacionin qytetarëve në gjuhën e tyre. Brenda Bankës ekzistojnë prej kohësh edhe përvoja, edhe praktika, edhe kapacitetet profesionale për ta respektuar shqipen.

Pikërisht kjo e bën atë që ndodhi në 80-vjetor edhe më të rëndë. Një institucion që e kishte përfshirë shqipen në komunikimin me qytetarët shumë përpara institucioneve të tjera, sot e la jashtë një prej manifestimeve të tij më të rëndësishme. U braktis një standard që ishte ndërtuar me punë dhe që kishte dëshmuar vlerën e vet.

Prandaj, as mungesa e kapaciteteve, as vështirësitë teknike dhe as mungesa e përvojës nuk mund të shërbejnë si arsyetim. Banka di ta bëjë këtë punë. E ka bërë dhe e ka bërë me sukses. Ajo që kërkon përgjigje është përse ky kapacitet nuk u përdor dhe kush mban përgjegjësi që shqipja u la jashtë.

Ajo që ishte e realizueshme në vitin 2022 nuk mund të bëhet e parealizueshme në vitin 2026. Institucionet kanë detyrimin t’i ruajnë dhe t’i avancojnë standardet e arritura. Një institucion që dikur u printe të tjerëve në këtë drejtim, nuk mund të tërhiqet prapa pa shpjegim dhe pa përgjegjësi.

Banka e ka mbrojtur ndër vite pavarësinë e saj dhe ka kërkuar me të drejtë respekt për mandatin e saj. Po aq me të drejtë, qytetarët kërkojnë prej saj respekt për gjuhën dhe dinjitetin e tyre. Pavarësia institucionale sjell përgjegjësi më të madhe për mënyrën se si institucioni sillet ndaj shoqërisë së cilës i shërben.

Prandaj, drejtuesit dhe organizatorët duhet të përgjigjen qartë: kush i miratoi ftesat, programin dhe materialet? Kush vendosi që versioni shqip i logos të mos përdorej në asnjërin prej tyre? Përse u hoq dorë nga përkthimet dhe nga praktika e dëshmuar e organizimit dygjuhësh? Kush mban përgjegjësi për këtë kthim prapa?

Përgjegjësia ka emra dhe funksione. Nuk mund të tretet pas shprehjes së përgjithshme “lëshim organizativ”, veçanërisht kur mungesa e shqipes përsëritet në kaq shumë pjesë të të njëjtit manifestim.

Po aq shqetësuese është heshtja publike e atyre që na qeverisin dhe e partive politike shqiptare. Deri tani, për këtë trajtim nuk kemi parë reagim publik prej tyre.

Për çfarë shërben përfaqësimi politik, nëse përfaqësuesit heshtin përballë përjashtimit të gjuhës shqipe? Çfarë peshe kanë deklaratat për dinjitet dhe barazi, kur në një rast konkret mungon gatishmëria për të kërkuar qoftë edhe një shpjegim?

Ata që ushtrojnë pushtet kanë mundësinë dhe përgjegjësinë të kërkojnë llogari. Heshtja e tyre e lë këtë trajtim pa kundërshtim publik dhe pa përgjigje institucionale. Qytetarëve u detyrohen më shumë sesa prani protokollare dhe fotografi nga manifestimet.

Respekti për shqipen duhet të duket në veprime konkrete, sidomos aty ku standardi është cenuar. Nuk mjafton të flitet për të në fushata, përvjetorë partiakë apo deklarata për media, ndërsa në institucionet shtetërore pranohet në heshtje mungesa e saj.

Si ish-viceguvernator, e konsideroj detyrim të them publikisht se kjo që ndodhi është e papranueshme. Kërkohet shpjegim publik, përcaktim i përgjegjësisë dhe masa të qarta që përdorimi i gjuhës shqipe të mos varet nga reagimet, nga ndërrimi i drejtuesve apo nga preferencat e organizatorëve.

Tetëdhjetë vjet histori duhej ta bënin Bankën më të vetëdijshme për përgjegjësinë që ka ndaj të gjithë qytetarëve. Në vend të kësaj, në këtë manifestim u braktis një standard që vetë institucioni e kishte zbatuar me sukses.

Gjuha shqipe nuk mund të mbetet një version logoje i ruajtur në dosje, që hiqet nga pamja sapo përgatiten materialet publike. Ajo duhet të ketë vendin e saj të dukshëm dhe të respektuar në jetën institucionale.

Banka duhet të japë llogari për përjashtimin e shqipes. Ata që na qeverisin duhet të japin përgjigje për heshtjen e tyre. Një standard i arritur nuk mund të zhbëhet dhe pastaj të trajtohet sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Dr. Fadil Bajrami

Ish-viceguvernator i Bankës Popullore

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume