Katër nxënës shqiptarë janë ndaluar nga policia në qytetin e Kotorrit, në Mal të Zi, pasi kanë formuar simbolin e shqiponjës me duar në një rrugë të qytetit. Ngjarja ka shkaktuar reagim të autoriteteve policore, pas një denoncimi të bërë nga një grua e moshuar malazeze.

Sipas të dhënave paraprake, incidenti është regjistruar rreth orës 17:30 të ditës së djeshme. Gruaja u ka kërkuar të rinjve të ndalonin së bëri simbolin e shqiponjës, duke iu drejtuar atyre në gjuhën malazeze

Nxënësit nuk e kanë kuptuar kërkesën e saj dhe kanë vijuar veprimin, ndërsa e moshuara ka kontaktuar policinë dhe ka paraqitur një kallëzim, duke pretenduar se ishte kërcënuar nga katër të rinjtë.

Pas marrjes së denoncimit dhe deklaratës me shkrim të gruas, efektivët e policisë së Kotorrit kanë ndërhyrë duke shoqëruar nxënësit dhe më pas kanë vendosur ndalimin e tyre.

Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, katër shqiptarët dyshohen për kundërvajtjen e nxitjes së urrejtjes kombëtare. Megjithatë, pretendimi për kërcënim dhe përgjegjësia e të rinjve mbeten për t’u shqyrtuar nga organet kompetente.

Autoritetet malazeze kanë bërë të ditur se katër nxënësit do të paraqiten sot, më 1 nëntor, përpara gjykatës kompetente, e cila do të shqyrtojë çështjen dhe do të vendosë për hapat e mëtejshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume