Diaspora iu përgjigj thirrjes së Bërvenicës
Pasi votuan dhe fituan në Bërvenicë, diaspora kthehet me krenari në vendet ku jeton, me bindjen se e përmbushën detyrimin ndaj vendlindjes shkruan Tetovasot.
Ata nuk e panë këtë proces vetëm si një ditë zgjedhjesh. E panë si një moment për t’iu përgjigjur thirrjes së rrënjëve të tyre. U nisën nga vende të ndryshme të Evropës, lanë punën, familjet dhe angazhimet, për të qenë pranë vendlindjes në një çast që e konsideruan vendimtar.
Kjo dëshmoi se lidhja e diasporës me Bërvenicën mbetet e fortë. Ata nuk e kanë harruar vendin nga kanë ardhur dhe janë të gatshëm të japin kontributin e tyre sa herë që e ndjejnë të nevojshme.
Tani fillon përgjegjësia më e madhe. Kryetari i ri duhet të punojë jo vetëm për ata që jetojnë çdo ditë në komunë, por edhe për diasporën që investon, mbështet familjet dhe rikthehet gjithmonë me zemër në vendlindje. Besimi që ata dhanë duhet të kthehet në punë, zhvillim dhe projekte konkrete, që herën tjetër të mos kthehen vetëm për të votuar, por edhe për të parë një Bërvenicë më të zhvilluar dhe më të denjë për të gjithë.TS


