Tetovë – Kur një klub sheh njëkohësisht tri gjenerata të tij në garë serioze për titull, atëherë nuk bëhet fjalë vetëm për rezultate, por për një sistem që po funksionon. Pikërisht këtë po e dëshmon Shkëndija, e cila këtë sezon po dominon në Superligën e të rinjve me tri ekipet e saj – U16, U17 dhe U19 shkruan Tetovasot.

Fundjava e fundit ishte një tjetër demonstrim force i kuqezinjve. Të treja skuadrat fituan bindshëm, pa pësuar asnjë gol dhe duke dërguar një mesazh të qartë rivalëve se gara për titull do të kalojë përmes Tetovës.

Gjenerata U16, e drejtuar nga trajneri Ismail Ismaili, mposhti Struga Trim Lumin me rezultat të pastër 3:0, duke vazhduar serinë e paraqitjeve mbresëlënëse dhe duke konfirmuar statusin si një nga skuadrat më cilësore në kampionat.

Bindëse ishte paraqitja e U17, nën drejtimin e Taxhedin Kasamit – Taki, që triumfoi 4:0 ndaj Struga Trim Lumit, duke dominuar ndeshjen nga minuta e parë deri në fund.

Ndërkohë, edhe U19, e udhëhequr nga Bekim Osmani, nuk la vend për dilema. Kuqezinjtë mposhtën Pelisterin me rezultat 3:0, duke vazhduar garën në krye të tabelës dhe duke dëshmuar pjekuri, cilësi dhe mentalitet fitues.

Tre fitore, dhjetë gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Një statistikë që flet qartë për momentin fantastik që po kalojnë akademia dhe ekipet zinxhir të Shkëndijës.

Trajneri i ekipit U16, Ismail Ismaili, theksoi se suksesi është rezultat i punës së përditshme.

“Këta djem po punojnë me përkushtim maksimal dhe po tregojnë karakter në çdo ndeshje. Jemi të lumtur me rezultatet, por mbi të gjitha na gëzon zhvillimi i futbollistëve. Objektivi ynë është që nga kjo gjeneratë të dalin lojtarë të gatshëm për ekipin e parë të Shkëndijës.”

Edhe trajneri i U17, Taxhedin Kasami – Taki, vlerësoi disiplinën dhe mentalitetin e skuadrës.

“Kur një ekip luan me ritëm, disiplinë dhe besim, rezultatet janë pasojë e natyrshme. Kampionati është ende i gjatë, por ne do të vazhdojmë të luftojmë për çdo pikë dhe të mos largohemi nga identiteti ynë si skuadër.”

Ndërsa trajneri i U19, Bekim Osmani, tha se objektivi është që skuadra të vazhdojë me të njëjtin ritëm deri në fund të sezonit.

“Kemi një grup me shumë cilësi dhe ambicie. Fitorja ndaj Pelisterit na motivon edhe më shumë, por e dimë se nuk kemi fituar ende asgjë. Duhet të mbetemi të përqendruar dhe të vazhdojmë me të njëjtin seriozitet.”

Rezultatet e fundit janë dëshmi se Shkëndija nuk po ndërton vetëm një sezon të suksesshëm, por një të ardhme. Akademia kuqezi vazhdon të prodhojë talente, ndërsa tri gjeneratat e saj po japin sinjale të qarta se lufta për titull është më e hapur se kurrë dhe Shkëndija është një nga favoritët kryesorë në secilën kategori.

Nëse ky ritëm vazhdon, Tetova mund të festojë jo vetëm një, por tre tituj kampioni, një arritje që do të konfirmonte edhe një herë se akademia e Shkëndijës mbetet ndër më të fortat në futbollin e Maqedonisë së Veriut.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume