Rezultati i zgjedhjeve në Bërvenicë mund të ndikojë në raportet mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së, si dhe në rikonfigurimin e pozitave politike në institucionet shtetërore, vlerëson Muhamed Zekiri në një kolumnë të publikuar në portalin TetovaSot.

Zekiri ngre pyetjen se çfarë fature politike mund të paguajë VLEN-i për qëndrimin e tij në raundin e dytë të zgjedhjeve në Bërvenicë, ku nuk pati një thirrje të qartë për mbështetjen e kandidatit shqiptar.

Sipas tij, ky qëndrim mund të interpretohet si mungesë solidariteti politik nga një pjesë e elektoratit shqiptar, ndërsa nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja mund të ketë pritur një angazhim më të madh të partnerit të saj qeveritar për fitoren e kandidatit të partisë.

“VLEN-i mund të përballet me kritika nga një pjesë e elektoratit shqiptar për mosmbështetjen e hapur të kandidatit shqiptar, ndërsa njëkohësisht duhet të përballet me pyetjen se sa e përmbushi pritshmërinë e partnerit të tij qeveritar, VMRO-DPMNE-së”, shkruan Zekiri.

Në kolumnë, vëmendja zhvendoset edhe te zhvillimet brenda Qeverisë, ku prej kohësh pritet riorganizimi i disa pozicioneve në administratën shtetërore, emërimet e zëvendësministrave dhe ndryshimet në drejtori e ndërmarrje publike.

Zekiri vlerëson se në opinion është krijuar përshtypja që këto ndryshime politike janë lidhur ngushtë me kalkulimet rreth zgjedhjeve në Bërvenicë.

Sipas tij, në ditët dhe javët në vijim do të shihet nëse rezultati i zgjedhjeve do të ndikojë në raportet mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VLEN-it, përmes vendimeve konkrete për përfaqësimin e partnerëve në institucionet shtetërore.

Mickoski, sipas Zekirit, duhet të vendosë nëse do ta ruajë formulën aktuale të partneritetit apo do të kërkojë rishikimin e saj, ndërsa VLEN-i duhet të dëshmojë se pozita e tij në Qeveri mbështetet në një partneritet të qëndrueshëm.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume