Rezultati i zgjedhjeve në Bërvenicë mund të shërbejë si sinjal për zhvillime të reja në skenën politike shqiptare, por edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Muhamed Zekiri, në kolumnën e tij të publikuar në portalin TetovaSot, ngre pyetjen nëse Bërvenica do të shndërrohet në një pikë kthese për rikonfigurimin e skenës politike shqiptare dhe marrëdhëniet brenda shumicës qeveritare.
“A mund të shërbejë ky rezultat si një nga elementet që do të përshpejtojnë përgatitjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare?”, shtron pyetjen Zekiri.
Ai gjithashtu thekson se mbetet e hapur dilema nëse Bërvenica do të jetë vetëm një garë lokale apo do të ketë pasoja më të gjera politike.
“A do të mbetet Bërvenica vetëm një garë lokale me pasoja politike për partitë pjesëmarrëse, apo do të shndërrohet në një pikë kthese për rikonfigurimin e skenës politike shqiptare dhe marrëdhëniet brenda shumicës qeveritare?”, shkruan Zekiri.
Sipas tij, rezultati në Bërvenicë mund të ndikojë edhe në raportet mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VLEN-it, duke hapur dilema për vazhdimin e partneritetit aktual qeveritar.
“A do të vazhdojë VLEN-i të jetë partneri i preferuar shqiptar i Mickoskit, apo rezultatet dhe raportet e reja politike do ta detyrojnë VMRO-DPMNE-në të rishikojë strategjinë e saj ndaj faktorit politik shqiptar?”, shton Zekiri në kolumnën e tij.