Kallëzim penal ndaj 46-vjeçarit nga Shkupi, dyshohet se publikoi serialin televiziv pa të drejtën e autorit në Facebook
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër J.K. (46) nga Shkupi, për veprat penale “cenim i së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta” dhe “piraterim i veprës audiovizuele”, sipas nenit 157 dhe nenit 157-b të Kodit Penal, njofton MPB.
Sipas njoftimit, gjatë vitit 2024 i kallëzuari, si administrator i një faqeje në Facebook, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim ka transmetuar përmes postimeve publike në faqe një serial televiziv, të drejtat ekskluzive të autorit të të cilit, në bazë të një marrëveshjeje të lidhur më parë, i ishin dhënë vetëm shërbimit programor të një shtëpie televizive.
Sipas kallëzimit që shtëpia televizive ia ka dorëzuar PTHP Shkup, i kallëzuari i ka kryer veprat penale përmes profilit të tij të përdoruesit në rrjetin social Facebook, ku si administrator i faqes, krahas serialeve, filmave dhe dokumentarëve të tjerë të publikuar, ka publikuar edhe episode nga seriali për të cilin nuk i zotëronte të drejtat e autorit.
Duke vepruar sipas urdhrit të PTHP Shkup, Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së ka zhvilluar hetim, në kuadër të të cilit personin e kallëzuar e ka thirrur në bisedë informative dhe përkohësisht i ka marrë një pajisje elektronike në pronësi të tij. Pas analizës forenzike të pajisjes, janë konfirmuar pretendimet nga kallëzimi, si dhe deklarata që i kallëzuari ka dhënë gjatë bisedës informative.