Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 është një nga vlerësimet më shqetësuese që Maqedonia e Veriut ka marrë në vitet e fundit. Ai dëshmon se vendi po humb ritmin e reformave, po mbetet gjithnjë e më larg integrimit evropian dhe po përballet me probleme serioze në funksionimin e institucioneve.

Për herë të parë, problemet konkrete me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat marrin një vend kaq të qartë në vlerësimin e Komisionit Evropian. Kjo është pasoja më e rëndë politike e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së me VLEN-in: çështje të barazisë që duhej të ishin garanci të pakontestueshme institucionale, sot janë kthyer në shqetësim evropian.

VLEN hyri në Qeveri me premtimin se do t’i përfaqësonte shqiptarët. Sot, pasojat e pjesëmarrjes së tyre në këtë qeverisje po lexohen në Bruksel.

Balancuesi është shfuqizuar, mekanizmi i ri i përfaqësimit mbetet i pazgjidhur, ndërsa qytetarët dhe studentët shqiptarë vazhdojnë të përballen me pengesa në realizimin e të drejtave të tyre gjuhësore.

Edhe në fushat e tjera, bilanci është alarmues: pa progres në luftën kundër korrupsionit, pa progres në lirinë e shprehjes, pa progres në prokurimet publike dhe pa progres në mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetësisë. Një qeverisje që premtoi reforma, sot po prodhon stagnim në fusha themelore të shtetit.

Ndërkohë, Shqipëria po avancon në negociata, Mali i Zi po i afrohet përfundimit të tyre, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet jashtë dinamikës së re të zgjerimit, pa hapur as klasterin e parë.

Ky është çmimi që qytetarët po paguajnë për drejtimin politik të kësaj qeverie.

Maqedonia e Veriut po humb kohë evropiane, ndërsa shqiptarët po përballen sërish me kontestimin e të drejtave që i konsideronin të garantuara.

Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se ky raport duhet të shërbejë si alarm për ndryshim të menjëhershëm të kursit qeverisës. Barazia, funksionimi i shtetit dhe perspektiva evropiane nuk mund të vazhdojnë të jenë viktima të kësaj qeverisjeje.

Bashkimi Demokratik për Integrim

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume