Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi një takim bilateral me ministren e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që mbahet në Budva të Malit të Zi.
Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe përkushtimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional në fushën e drejtësisë.

Në fokus të bisedimeve ishin shkëmbimi i përvojave, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe avancimi i reformave në përputhje me standardet evropiane.

Ministri Shasivari theksoi se Kosova është partnere e rëndësishme dhe e afërt e vendit tonë dhe se marrëdhëniet tradicionalisht të mira përbëjnë një bazë të fortë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive.

Të dyja palët theksuan rëndësinë e një bashkëpunimi të vazhdueshëm, konkret dhe të orientuar drejt rezultateve, i cili do të kontribuojë në institucione më efikase, forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume